KORÇË– Qindra besimtarë, së bashku me qytetarë dhe vizitorë të shumtë, u mblodhën mesnatën e së shtunës në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, si edhe në sheshin përpara saj, për të ndjekur ceremoninë solemne të Pashkës dhe ritet tradicionale që e shoqërojnë atë.
Ceremonia u drejtua nga Mitropoliti i Korçës, Imzot Anastasi, i cili përcolli mesazhin e shenjtë “Krishti u ngjall”, duke uruar paqe, shpresë dhe begati për të gjithë besimtarët.
Sipas traditës, të pranishmit thyen vezët e kuqe, simbol i jetës dhe ringjalljes, si dhe ndezën qirinjtë nga “drita që nuk perëndon kurrë”, duke krijuar një atmosferë të veçantë shpirtërore.
Me qirinj të ndezur në duar, besimtarët iu drejtuan shtëpive të tyre, duke e konsideruar këtë ritual si një simbol të mbarësisë, paqes dhe mbrojtjes për familjet e tyre./ abcnews.al


