Fenerbahce nuk e fiton titullin kampion prej vitit 2014. Skuadra e njohur turke renditet në vend të tretë këtë sezon dhe ndodhet 5 pikë larg Besiktasit kryesues. Drejtuesit kanë ambicie të mëdha për sezonin e ardhshëm.
Këtë janar u siguruan shërbimet e Mesut Ozil, ndërsa përflitet se mund të kthehet edhe Vedat Muriqi nga Lazio në fund të sezonit. Por jo vetëm futbollistë. Drejtuesit e “gjigantit” nga Stambolli kërkojnë një emër të madh për stolin.
Ditën e djeshme u shkarkua trajneri Erol Bulut për shkak të mungesës së rezultateve pozitive. Për momentin, pankina e Fenerbahces do t’i besohet një pjesëtari të stafit teknik, ndërsa dy janë ëndrrat e mëdha.
AS raporton se në listën e dëshirave janë Joachim Low dhe Marcelo Gallardo. I pari do të largohet nga drejtimi i Gjermanisë pas përfundimit të Euro 2020, ndërsa argjentinasi i River Plate është gati të nisë një aventurë evropiane. /abcnews.al