Jo vetëm Allegri për stolin, PSG tundohet nga “mjeshtri” i Libertadores

schedule09:15 - 28 Maj, 2020

schedule 09:15 - 28 Maj, 2020

PSG po bën gjithçka për të fituar Champions League për herë të parë në histori. Skuadra kryeqytetase është kualifikuar në çerekfinalet e këtij kompeticioni, ndërsa dominimi në Francë nuk rrezikohet nga askush.

Pavarësisht kësaj ecurie, drejtuesit nuk janë të bindur nga Thomas Tuchel. Trajneri gjerman pritet të largohet në fund të sezonit dhe dy janë alternativat për ta zëvendësuar. Drejtori sportiv i klubit pëlqen Max Allegrin dhe Leonardo negocion prej kohësh me italianin.

Emri tjetër është një argjentinas, i cili ka luajtur si futbollist te PSG. Infobae raporton se Luis Ferrer, një nga përgjegjësit e sektorit teknik të klubit, po ndjek me interes Marcello Gallardon. 44-vjeçari argjentinas, i cili luajti me PSG në sezonin 2007-2008, drejton me sukses River Plate prej vitit 2014.

10 trofe ka fituar ai në stolin e “Millonarios”, nga të cilat dy herë Kupën Libertadores. Gallardo ka eksperiencë, preferon një futboll të bukur dhe modern, dhe është gati për aventurën e parë evropiane si trajner, që mund të nisë nga PSG. /abcnews.al