Ushtria izraelite tha se “kemi arritur” në zemër të aseteve të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha më 24 nëntor tha se pasi të përfundojë armëpushimi, i paraparë që të zgjasë katër ditë, do të vazhdojnë luftimet aktive.
“Ende kemi synime të shumta dhe shumë tunele për të shkatërruar, përfshirë disa të cilat ne i kemi shkatërruar mëngjesin e sotëm, para se të niste armëpushimi”, tha për gazetarët zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse të Izraelit, Daniel Hagari.
Gjatë katër ditëve të armëpushimit, pritet të lirohen 50 pengje të marra nga Hamasi më 7 tetor, gjatë sulmeve në jug të Izraelit. Izraeli po ashtu do të lirojë 150 palestinezë gjatë katër ditëve, si pjesë e marrëveshjes. Gjatë sulmeve më 7 tetor në jug të Izraelit, Hamasi vrau më shumë se 1.200 persona dhe mori peng afër 240 të tjerë.
Si pasojë e sulmeve hakmarrëse izraelite, në Rripin e Gazës – të banuar me 2.3 milionë banorë – janë vrarë të paktën 13.000 palestinezë. Ndërprerja e luftimeve të premten ka ofruar njëfarë lehtësimi për banorët e Gazës, të cilët janë përballur me bombardime të pareshtura izraelite prej javësh, si dhe për familjet në Izrael, të cilat frikohen për fatin e më të dashurve të tyre, të marrë peng gjatë sulmit të 7 tetorit nga Hamasi.
Sipas marrëveshjes, Izraeli do të lirojë tre palestinezë për çdo peng të liruar nga Hamasi. Lirimi i pengjeve nga grupi radikal palestinez do të bëhet në faza gjatë katër ditëve të ardhshme.
Marrëveshja për armëpushim dhe lirim pengjesh e të burgosurish u arrit ditë më parë, pas javësh negociata të tensionuara indirekte, teksa Katari, Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti shërbyen si ndërmjetës. /REL



