Italia në krizë, Salvini: Nuk ka riformatim të qeverisë

schedule18:45 - 8 Gusht, 2019

schedule 18:45 - 8 Gusht, 2019

Italia duket se është përfshirë nga një krizë politike, pasi marrëdhëniet mes Ligës së Veriut dhe Lëvizjes 5 Yjet tashmë janë krisur. Në reagimin e tij, zëvendës kryeministri Mateo Salvini është shprehur kundër opsionit të riformatimit të qeverisë dhe pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

E ardhmja e qeverisë italiane është vënë në dyshim në ditët e fundit dhe ekzistojnë shanse serioze që mazhoranca qeverisëse të shpërbëhet. Vetë zëvendës kryeministri i Italisë, Mateo Salvini ka hedhur poshtë spekulimet për një riformatim të qeverisë, duke u shprehur në favor të zgjedhjeve të parakohshme. Sipas mediave italiane, i lodhur nga refuzimet e vazhdueshme të Lëvizjes 5 Yjet, Salvini mendon se fjala duhet t’u kalojë italianëve.

“Çdo ditë që kalon është një ditë e humbur. E vetmja alternativë ndaj kësaj qeverie është t’i japim fjalën italianëve për zgjedhje të reja”, ka deklaruar Salvini në një komunikatë që mban firmën e partisë së tij Liga e Veriut. Megjithatë, siç shkruan “Corriere della Sera” në edicionin e saj online, Salvini nuk ka kërkuar ende zyrtarisht dorëheqjen e kryeministrit Xhuzepe Konte dhe shpreson ende se mund ta shpëtojë ekzekutivin. Replika e Lëvizjes 5 Yjet ndërkohë ka ardhur gjithashtu përmes një komunikate.

“Deklarata e Ligës së Veriut është e pakuptueshme. Ata duhet ta thonë hapur se çfarë duan të bëjnë, duhet të jenë më të qartë”, thuhet në komunikatë. Sipas “Corriere”, këtë herë Salvini e ka seriozisht lidhur me zgjedhjet e parakohshme pasi ai kërkon një zhvillim të ri, ose një trofe për t’ua treguar zgjedhësve dhe vartësve të tij pranë Ligës së Veriut, ku prej kohësh vihen re oshilacione.

Një ditë më parë, në një takim me Konten, Salvini kërkoi kokën e ministrave të Infrastrukturës, Mbrojtjes dhe Ekonomisë. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë me këta të tre, por sikurse thonë nga Liga e Veriut, këtë herë Salvini nuk do të kënaqet me një riformatim të qeverisë. Gjithashtu, e thënë nga vetë ai, marrëdhënia me Lëvizjen 5 Yjet tashmë është krisur./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!