Duke theksuar se nuk kishte shumë eksperiencë politike pas krahëve, kryeministri i ri Italian Giuseppe Conte, në fjalën e parë në parlament u shpreh ndër të tjera se do të kishte një rishikim të sanksioneve ndaj Rusisë. Kjo edhe pse vendi do të vazhdojë të jetë aleat i NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në fjalimin e tij të parë si kryeministër i Italisë në parlamentin e vendit, Giuseppe Conte theksoi që në fillim se qytetarëve u duhen dhënë përgjigje konkrete.
Kreu i ekzekutivit premtoi se një nga prioritetet e qeverisë që drejtonte do të jenë interesat e italianëve, punësimi dhe lufta ndaj privilegjeve politike. Duke iu rikthyer temës së këtyre ditëve, fenomenit të emigrantëve, Conte kritikoi sërish Bashkimin Europian:
“Hapi i parë drejt një dialogu me partnerët europianë është emigracioni. Deri tani, menaxhimi i fluksit të emigrantëve ka qenë një dështim. Europa ka lejuar një vetëizolim egoist të disa shteteve që i kanë lënë vështirësitë në supet e vendeve si Italia. Do kërkojmë rishikim të menjëhershmëm të Rregullores së Dublinit pasi duhet të realizojnë sisteme të riatdhetësimit të detyrueshëm për azilkërkuesit”.
Duke këmbëngulur se qeveria e tij dhe bashkëpunëtorët nuk janë racistë, kryeministri italian shtoi se emigrantët e ligjshëm që japin kontribut dhe integrohen në vend, do të ndihmohen.
Duke iu referuar politikës së jashtme Conte shpjegoi qëndrimin e qeverisë së tij duke thënë se vendi do të vazhdojë të jetë aleat i NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por sanksionet ndaj Rusisë do të hiqen pasi përmirësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve ka nevojë për një qasje të re.
Sipas Contes, Rusia vitet e fundit ka konsoliduar rolin e saj ndërkombëtar në disa kriza gjeopolitike. Për këtë arsye, Italia do të jetë promovuese e rishikimit të sistemit të sanksioneve që do të kishin pasoja në shoqërinë civile ruse./abcnews.al

