“Ishte si Maradona për napolitanët”, Buffon me fjalë zemre për Paolo Rossin

schedule19:58 - 10 Dhjetor, 2020

schedule 19:58 - 10 Dhjetor, 2020

Një vit i trishtë ky për sportin, që ka humbur shumë nga kampionët që kanë shkruar histori dhe kanë bërë të ëndërrojnë milion tifozë. Paolo Rossi humbi betejën me sëmundjen e keqe në moshën 64-vjeçare, duke shkaktuar trishtim të madh në Itali dhe jo vetëm.

Ish-sulmuesi i famshëm mbahet mend për Botërorin fantastik që zhvilloi me të kaltrit në vitin 1982. Italia nuk ishte favorite, por Rossi ndodhej në formë të shkëlqyer dhe udhëhoqi kombëtaren e tij drejt majës së botës me golat e tij të paharrueshëm, vit ku fitoi edhe “Topin e Artë”.

Të shumta reagimet për të, teksa nuk mungon komenti i Gianluigi Buffon, portierit legjendar të Juventusit. “Në këtë vit tragjedia, që po mbaron më në fund, na la edhe Pablito. Vit ku janë larguar ikona si Kobe Bryant dhe Diego Maradona, tani edhe Rossi bashkohet me ta.

Shumë të rinj mund të mos e dinë kush ishte, por Rossi ishte pjesë e fëmijërisë time, i përket atij vogëlushi që mbante veshur me krenari fanellën me numër 20 të Italisë dhe pas çdo goli të Rossit bërtiste i lumtur: gol i Pablitos, përsëri gol i Pablitos.

Këtë mëngjes, ndërsa po çoja fëmijët e mi në shkollë, u përpoqa t’u shpjegoja se kush ishte Paolo Rossi, por mbi të gjitha isha i interesuar që ata të kuptonin se çfarë donte të thoshte ai për mua. Me gjashtë fjalë ishte: frymëzim, shpengim, ëndërr, emocion, lumturi, krenari.

Ishte ajo që Maradona përfaqësonte për Napolin, kjo është arsyeja pse sot zemra dhe shpirti im italian ndihen të goditura dhe jetime“, shkruan në Facebook Gigi Buffon. /abcnews.al