Intervista e fundit si bardheblu, çfarë deklaroi Julian Ahmataj

schedule10:43 - 10 Dhjetor, 2019

schedule 10:43 - 10 Dhjetor, 2019

Julian Ahmataj nuk ka dalë dje në stërvitje te Tirana. Klubi bardheblu ende nuk e ka zyrtarizuar largimin e tij, por pritet që së shpejti të ndodhë diçka e tillë. Kjo situatë në kampin bardheblu u krijua pas humbjes së pësuar me Kukësin të shtunën, ndërkohë që ju risjellim edhe një herë në vëmendje intervistën e fundit për mediat që Ahmataj ka dhënë. Sikurse kuptohet nga ato që ai ka deklaruar, ekipi nuk është se e ka ndjekur dhe presioni i madh te Tirana ka masën e vet në gjithë atë që ndodh në klubin bardheblu.

Profesor, kaluar të parët në avantazh dhe më pas pësuat tre gola. A mos ndoshta ishte gabim që Tirana u tërhoq aq mbrapa?
-Po ta shikoni, unë kurrë nuk e kam kërkuar të tërhiqemi në ato zona. Pra duhen gjetur kohët kur ti duhet të dalësh dhe të bësh presing lart. Janë gjëra që kërkojnë kapacitete të larta aerobike që t’i përballosh në një 90-minutësh. Po ta shikoni, tkurrja mbrapa vjen nga mungesa e kohës së të bërit të gjërave. Pra duhet të gjesh kohën e duhur që duhet t’i shfrytëzosh. Nëse je një sekondë ose dy sekonda me vonesë, atëherë kundërshtari të detyron të tërhiqesh prapa. Kjo pasi je me vonesë.

Si ka mundësi që të tërhiqet ekipi, kur ju nuk e urdhëroni diçka të tillë?
-Po ta shikoni, unë urdhërova që skuadra të dilte, të mos rrinte aty e vendosur. Unë gjithë kohës isha në situatën që duhet të dalim përpara. Është e pamundur të mbajmë një ritëm. Në momente të caktuara humbet.

Keni thënë që keni një ekip me lojtarë inteligjentë…
-Nuk varet vetëm tek intelekti, ka të bëjë me presionin e rezultatit. Lojtarë të veçantë ndoshta nuk kanë mundësinë për ta mbajtur këtë presion që ushtrohet kundrejt skuadrës. Është evidente që Tirana kërkon fitoren në çdo ndeshje.

Duke sikur skuadra bie si kështjellë rëre sa herë pëson gol
-Është çështje psikologjike, e vuan presionin e golit. Kjo e rëndon akoma më shumë skuadrën. Gjëja që më shqetëson më shumë është se, pavarësisht se skuadra ishte poshtë linjës së topit, pëson edhe gol. Pra jemi shumë të brishtë dhe ky është një problem.

A lidhet me cilësinë diçka e tillë,  pasi nuk besojmë se është vetëm psikologjike?
-Ka lidhje me çdo gjë. Po përdorim lojtarë të akademisë, në mungesë të lojtarëve difensivë, për të forcuar skuadrën në momente të caktuara dhe për të qenë sa më të fortë. Këto lloj lojtarësh mungojnë në organikën e skuadrës.

Çfarë bëri më shumë Tirana në këtë ndeshje se ndaj Skënderbeut?
-Këtë ndeshje Tirana e nisi shumë mirë, bëri ato që kemi punuar në stërvitje dhe çdo gjë funksionoi deri në momente të caktuara dhe pothuajse në gjithë pjesën e parë, me përjashtim të disa momenteve që skuadra u tërhoq më shumë seç duhet. Me marrjen e penalltisë, që është një gabim individual që i ndodh një lojtari sulmues (Torassa). Ai bëri një ndërhyrje të nxituar në zonë dhe kjo prish ekuilibrat e lojës. Presioni do kalonte te kundërshtari dhe hapësirat do të hapeshin më shumë për ta menaxhuar ne ndeshjen. /abcnews.al