Artistët po përpiqen të krijojnë mundësi të reja për t’ju përshtatur situatës së krijuar nga Covid-19. Banda e rock-ut, The Flaming Lips ka prezantuar një mënyrë mjaft interesante për të shmangur përhapjen e virusit. Grupi paraqiti një koncept të ri të të zhvilluarit të koncerteve dhe bëhet fjalë për një interpretim në flluska plastike.
Duke përformuar në The Criterion, anëtarët performuan brenda disa sferave individuale plastike. Kjo ide lindi nga një skicë e hartuar nga Wayne Coyne gjatë ditëve të para të pandemisë, sipas CNN.
“Unë bëra një vizatim të vogël, ku shiheshin Flaming Lips duke bërë një shfaqje në 2019-ën. Në vizatim unë isha personi i vetëm në flluskë hapësinore, ndërsa të gjithë të tjerët ishin thjesht normal. Bëra një vizatim tjetër, The Flaming Lips duke luajtur një shfaqje në 2020. Skenari ishte i njëjtë, por unë isha në një flluskë dhe kështu ishin edhe të gjithë të tjerët.”, tha Coyne.
Coyne dhe grupi zbuluan për herë të parë këtë koncept gjatë një interviste në maj në “The Late Show” me Stephen Colbert. The Flaming Lips interpretoi një remix të këngëve “Assassins of Youth”, “Brother Eye” dhe “American Head”. Por, a do të jenë një zgjidhje flluckat me fansa brenda tyre, të paktën gjatë kohës që do të zgjasë pandemia globale? xh.d/abcnews.al


