“I dyti i përjetshëm” në Formula 1, shuhet legjenda britanike

schedule16:57 - 12 Prill, 2020

schedule 16:57 - 12 Prill, 2020

Formula 1 mban zi për legjendën britanike, Stirling Moss. Ish-ylli i sportit u shua në moshën 90-vjeçare, ndërsa njihet si piloti më i madh që nuk arriti të fitonte asnjë titull botëror.

Jetoi gjatë, aq sa mundi të shijonte spektaklin për shumë breza. Stirling Moss, një nga pilotët më të adhuruar të Formula 1, u shua në moshën 90-vjeçare në Britaninë e Madhe. Mediat britanike njoftuan se ish-sportisti i shquar vdiq duke jetuar deri ditën e fundit, siç kishte bërë gjatë gjithë jetës së tij të gjatë, pra i ndërgjegjshëm, me humor të plotë, siç informoi gruaja e tij, Suzi.

 

I lindur në Londër në 1929, Moss u bë pjesë e Formula 1 në vitet 1948-1962, në vitet që cilësohen më të vështirët dhe më të rrezikshmit e këtij sporti. Ai fitoi nofkën “i dyti i përjetshëm”, pasi doli disa herë nënkampion i botës, por nuk e mori dot kurrë titullin e madh.

Ai sfidoi legjendat e kohës, sidomos Huan Manuel Fangion, duke e mundur në gara të tjera si në “Një mijë miljet” në Itali, në “24 orët e La Manshit” apo në “12 orët e Reimsit”. Pasi i dha fund karrierës në automobilizëm, Mos u bë një biznesmen i suksesshëm dhe një figurë e shquar televizive.

Në vitin 2000, ai fitoi titullin e fisnikërisë nga shteti britanik, një shpërblim për arritjet e tij në sport dhe për ndikimin në shoqërinë britanike gjatë gjithë jetës së tij. /abcnews.al