Humbja tragjike e nënës, tërheqja dhe rikthimi për një mision: Historia e rrallë e Joao Cancelo

schedule15:37 - 23 Gusht, 2021

schedule 15:37 - 23 Gusht, 2021

Mbrojtësi i Manchester Cityt, Joao Cancelo debutoi me ekipin e parë të Benficas më datë 25 janar 2014 në një ndeshje të Kupës së Ligës ndaj Gil Vicente dhe e gjithë ajo ndeshje ishte një dedikim për nënën e tij, që fatkeqësisht nuk ishte në stadium dhe askund për të parë djalin e tij, i cili shpreson ta ketë parë nga lart.

Një vit më parë nëna e tij, Filomena, kishte humbur jetën në një aksident automobilistik në autostradë, kur në makinë ndodheshin edhe Joao me vëllain e tij, Pedro (10 vjeç atë kohë), dhe babai i tyre, të cilët fatmirësisht pësuan dëmtime të lehta. Atë natë ata ishin në aeroportin e Lisbonës për të marrë babain, Jose dhe po ktheheshin në shtëpi kur pësuan aksidentin.

 

Jose punonte në Zvicër për të fituar më shumë para për familjen, ndërsa Filomena po bënte tre punë për të siguruar një jetë më të mirë për fëmijët e saj, të cilët kaluan shumicën e kohës me gjyshërit e tyre në Barreiro, qytet industrial në jug të Lisbonës. Joao, që në atë kohë stërvitej për ekipin e parë të Benficas ëndërronte ditën kur do kishte aq shumë para sa t’u thoshte prindërve se s’kishte më nevojë të punonin.

 

Humbja e nënës ishte e rëndë për Joaon. Vajtimi e mbajti mbrojtësin në shtëpi për afërsisht një muaj. Ai nuk donte të shkonte në stërvitje dhe mendoi të hiqte dorë nga futbolli, por një bisedë me babanë e tij ndryshoi gjithçka. Joao u kthye me një mision të përcaktuar mirë: për të bërë nënën e tij krenare. Vetëm katër muaj më vonë, mbrojtësi i djathtë shënoi dy golat që i dhanë Benficas U19 titullin kampion.

Më pas, në janar 2014 debutoi me ekipin e parë. Jorge Jesus, atëherë në emërimin e tij të parë si trajner i Benficas, i dha Cancelos edhe një mundësi më shumë: ishte në ditën e fundit të sezonit, me titullin tashmë të siguruar, por ajo ndeshje kundër Porto tregonte se mbrojtësi i ri ishte përfshirë në atë triumf. Çuditërisht, në fund të atij sezoni dhe vetëm me ato dy ndeshje për Benfican, Cancelo u shit për 15 milion euro te Valencia, që gjithashtu kishte marrë trajnerin portugez Nuno Espirito Santo.

 

Në tre vite, Cancelo luajti thuajse 100 ndeshje për ekipin spanjoll. Një periudhë, në të cilën ai u rrit shumë, duke përfshirë disa gabime nga të cilat mësoi. Në prill 2017 ai shënoi kundër Deportivo La Coruna dhe bëri një gjest, i cili dukej sikur po u thoshte tifozëve që të heshtnin, pas së cilës ai u fishkëllye deri në fundin e ndeshjes.

Më pas Cancelo u huazua te Inter dhe pas kësaj bleu nga Juventus, ku ai luajti së bashku me Cristiano Ronaldon dhe tani është te Manchester City prej dy vitesh, me Pep Guardiolan. Sezoni i shkuar ishte i jashtëzakonshëm në fushë për të, por edhe jashtë saj, duke treguar se po bëhet një lojtar i pjekur dhe po merr karakteristikat e një lideri. Statusi i tij te Portugalia tashmë është i lartë dhe të gjithë presin prej tij.

 

“E di se nëna ime është shumë krenare për rrugëtimin tim. E vetmja gjë që më mungon është ajo. Sot kam gjithçka, kam një vajzë të bukur, kam gjithashtu një familje të bukur dhe ajo meritonte të shihte suksesin tim, më shumë se kushdo, por unë e di që ajo sigurisht është krenare për mua”, tha ai kohët e fundit, në një intervistë për Canal 11 në Portugali. /abcnews.al