Ditën e djeshme humbi jetën një 73 vjeçare për shkak të infeksionit nga Koronavirusi. Për këtë ngjarje është ngritur shqetësimi në spitalin e Durrësit, stafi mjekësor i është nënshtruar analizave, rezultatet e të cilave sipas ministrisë së Shëndetësisë kanë dalë negative, pra që nuk janë prekur nga koronavirusi.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se në një dhomë me 73 vjeçaren kanë qëndruar edhe dy paciente të tjera për rreth 3 ditë të cilat kanë patur kontakt të drejtpërdrejtë me viktimën. Pas kësaj të gjithë personat që kanë patur kontakt me 73 vjeçaren do të qëndrojnë për 14 ditë në vetkarantinim.
Gazetari i ABC News Leonidha Musaj raportoi për abcnews.al se trupi i 73 vjeçares ndodhet ende në morgun e spitalit të Durrësit pasi nuk është marrë vendimi se si do të procedohet me varrimin e saj, nuk dihet ende nëse do të jenë familjarët ata që do të kryejnë ceremoninë apo do të jenë struktura të posaçme të Bashkisë dhe shëndetësisë që do të kryejnë këtë proces.
Po ashtu mëngjesit e sotëm kanë mbërritur 2 aktimorte në portin e Durrësit. Ata mendohet se kanë humbur jetën nga koronavirusi, trupi i tyre është tërhequr nga familjarët./abcnews.al