Hristov: Erdha te Vllaznia prej Jonuz, do mundohem t’ia shpërblej besimin

schedule17:07 - 17 Janar, 2020

schedule 17:07 - 17 Janar, 2020

Vllaznia njoftoi nënshkrimin me sulmuesin Simeon Hristov, i cili ka thënë edhe fjalët e para si futbollist i kuqebluve.  “Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Vllaznisë. Shoh që gjithçka duket mirë në këtë fillim dhe shpresoj që gjërat të shkojnë mbarë”, u shprehet fillimisht sulmuesi.

Hristov flet për ekipin që ka gjetur dhe pranon që pranoi ofertën e Vllaznisë prej trajnerit Mirsad Jonuz. “Kam konstatuar që në skuadër ka lojtarë shumë të mirë. Kushtet janë të mira, po ashtu edhe stafi është i mirë. Me trajnerin Mirsad Jonuz kam një njohje prej vitesh dhe e vlerësoj për vlerat dhe karrierën e tij.

Ai është arsyeja kryesore pse unë jam sot këtu. Ajo çfarë do të mundohem të bëj unë është që t’ia shpërblej këtë besim që ka shfaqur ndaj meje”, shtoi sulmuesi, i cili në Maqedoninë e Veriut në pjesën e parë të këtij sezoni ka qenë pjesë e Borec.

Hristov nuk dëshiron të bëjë premtime të mëdha apo një numër golash. Ai garanton që do të bëjë më të mirën e tij që Vllaznia të fitojë dhe të realizojë objektivat që ka. “Unë premtoj se do të bëj maksimumin për këtë gjë dhe jam i bindur se gjërat do të shkojnë mirë”, përfundon sulmuesi. / abcnews.al