Hasan Ferracaku, një nga personat e dyshuar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Velipojë pesë vite më parë, është larguar nga banesa e tij në Shkodër, ndonëse ndodhej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme policore.
Policia kishte konstatuar se Ferracakuishte larguar nga banesa.
Menjëherë pas konstatimit, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër, kanë organizuar kontrolle në banesa dhe në ambiente të tjera, në të cilat dyshohet se mund të jetë fshehur ky shtetas.
Grupi hetimor dhe AMP vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit.
Ngjarja e rëndë në Velipojë ndodhi orët e para të 27 qershorit 2021, pas një sherri për shezlongët, nga përplasja me armë mes dy familjeve.
Të vrarë mbetën Kujtim Ferracaku, Xhovani dhe Edmond Zeneli si dhe 19-vjeçari Musaen Zeneli. Kurse të plagosur mbetën Hasan Ferracaku dhe 17-vjeçari Elmedin Dyli. Në vendngjarje, u sekuestruan 18 gëzhoja, të qitura nga 3 armë të ndryshme. Një kallashnikov dhe dy pistoleta, njëra tip TT dhe tjetra miniglok 7.65 mm./abcnews.al



