“Harta e madhe” e kombëtares/ Kuqezinjtë luajnë në 15 shtete në Europë dhe më gjerë

schedule20:01 - 25 Nëntor, 2023

schedule 20:01 - 25 Nëntor, 2023

Vlera e kartonëve ndoshta ka arritur në 100 milionë apo më shumë, ndërsa hapësira po zgjerohet.

Futbollistët e kombëtares shqiptare kanë sot shpërndarjen më të madhe gjeografike që ndoshta kanë pasur ndonjëherë, dhe po ashtu nivelin më të lartë.

Duke llogaritur 33 kuqezinj që janë të gatshëm për grumbullim, shikojmë se plot 14 prej tyre luajnë në ligat më të forta të Europës në Itali, Angli, Spanjë dhe Gjermani.

Në Itali, ndërkaq, janë 11 të tillë, nga të cilët 9 në Serinë A, ndërsa kemi dy në La Ligë, dy në Premier Ligë dhe një në Bundesligë.

Spikasin padyshim Armando Broja si pjesë e Çelsit në Premier dhe Kristjan Asllani tek Interi në Serinë A.

Kampionati italian, si kurrë ndonjëherë ka 9 futbollistë të Shqipërisë, pasi përveç Asllanit janë edhe Berisha, Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Kumbulla, Bajrami, Ramadani dhe Marvin Çuni.

Në Angli është edhe Tomas Strakosha ndonëse po luan pak, ndërsa në Spanjë kemi Myrto Uzunin dhe Ivan Balliun.

Në Bundesligën gjermane, ngjyrat tona i mbron mesfushori Klaus Gjasula.

Thuajse të gjithë kuqezinjtë janë në Europë, përfshi edhe Rusinë me Mario Mitajn dhe Mirlind Dakun, por edhe Turqinë ku spikat sidomos Sokol Cikalleshi, por nuk harrohen as Roshi e Veseli.

Jashtë kontinentit të vjetër kemi vetëm Jasir Asanin që luan në elitën e Koresë së Jugut dhe Taulant Seferin qëështë në ligën e dytë të Arabisë Saudite.

Falë kësaj cilësie, si dhe arsyeve të tjera, Shqipëria arriti kualifikimin në finalet e Europianit madje si skuadra e parë në grup, duke lënë pas Çekinë e Poloninë./abcnews.al