Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Hapet qendra moderne për çaktivizimin e armëve, Hita: Hap i rëndësishëm për sigurinë

schedule12:11 - 30 Maj, 2026

schedule 12:11 - 30 Maj, 2026

Policia e Shtetit ka marrë në dorëzim Qendrën e parë të Çaktivizimit të Armëve të Vogla dhe të Lehta, një projekt i realizuar në bashkëpunim me OSBE dhe partnerë ndërkombëtarë, me synim forcimin e sigurisë dhe luftën kundër përhapjes së armëve të paligjshme.

Në ceremoninë e inaugurimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita, e cilësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm për sigurinë publike dhe për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve.

Ai theksoi se bashkëpunimi disa-vjeçar me OSBE-në ka mundësuar ngritjen e një qendre moderne që përmbush standardet ndërkombëtare dhe afron Shqipërinë me praktikat e Bashkimit Europian në fushën e kontrollit të armëve.



Sipas tij, projekti ka ndikuar në forcimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, zhvillimin e trajnimeve të specializuara, pajisjen me infrastrukturë moderne si dhe rritjen e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare për monitorimin e procesit të çaktivizimit të armëve.

Hita nënvizoi gjithashtu se Policia e Shtetit po forcon kapacitetet edhe në njësitë K9, duke përmirësuar kushtet e strehimit dhe trajtimit të qenve të policisë, si dhe duke rritur aftësitë operacionale të strukturave të saj.

Ai bëri me dije se strukturat e policisë sekuestrojnë çdo vit mesatarisht 650 deri në 700 armë të vogla e të lehta, si dhe sasi të konsiderueshme municionesh, ndërsa vijojnë operacionet kundër armëmbajtjes pa leje dhe krimit të organizuar.

Fjala e plotë:

Sot është një moment i rëndësishëm për Policinë e Shtetit dhe për të gjitha institucionet që kontribuojnë në sigurinë, stabilitetin dhe luftën kundër përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve të vogla e të lehta. Por, mbi të gjitha, ky moment lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e fëmijëve tanë, që janë e ardhmja e këtij vendi, çka përbën prioritetin më të lartë në punën tonë të përditshme.

Bashkëpunimi prej më shumë se 4 vitesh me OSBE-në dhe partnerët ndërkombëtarë sot po konkretizohet me ngritjen e kësaj qendre moderne.

Ky investim përfaqëson një hap konkret në përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në luftën tonë pa kompromis kundër krimit të organizuar.

Projekti ka mundësuar forcimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, përmes ndryshimeve dhe plotësimeve të rëndësishme në aktet nënligjore, duke sjellë:

– Përafrimin e standardit kombëtar për çaktivizimin e armëve të zjarrit me praktikat më të mira të OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare;

– Zhvillimin e kurseve të specializuara të trajnimit dhe mbështetjen për ngritjen e strukturave për zbatimin e saktë dhe mbikëqyrjen rigoroze të të gjithë këtij procesi;

– Sigurimin e infrastrukturës dhe pajisjeve moderne të nevojshme për realizimin praktik të çaktivizimit;

– Forcimin e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare për të monitoruar dhe garantuar standardet më të larta të sigurisë gjatë këtij procesi.

Po ashtu, projekti ka dhënë një kontribut të rëndësishëm:

– Në ndërtimin e kapaciteteve zbuluese të njësive K9, përmes sigurimit të pajisjeve dhe mjeteve trajnuese;

– Në ndërtimin e kushteve bashkëkohore për strehimin e qenve të policisë dhe Klinikës Veterinare, inaugurimi i së cilës pritet të realizohet së shpejti;

– Në trajnimin e specialistëve tanë dhe në rritjen e aftësive operacionale të Policisë së Shtetit, me një objektiv të qartë: minimizimin e rrezikut të përhapjes së armëve të vogla e të lehta dhe parandalimin e keqpërdorimit të tyre.

Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë partnerët që kanë mbështetur Policinë e Shtetit dhe institucionet shqiptare në këtë sipërmarrje të rëndësishme.

Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar në luftën kundër armëmbajtjes pa leje dhe çdo forme të kriminalitetit që cenon sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Strukturat tona, gjatë operacioneve të dedikuara, por edhe në punën e përditshme, sekuestrojnë çdo vit mesatarisht 650 deri në 700 armë të vogla e të lehta, si dhe sasi të konsiderueshme municionesh, duke çuar përpara drejtësisë personat që i posedojnë ato në mënyrë të paligjshme.

Paralelisht, përmes strukturave tona të Policimit në Komunitet, ne vijojmë fushatat sensibilizuese, veçanërisht me të rinjtë dhe në shkolla, për të parandaluar rrezikun që sjell mbajtja e armëve, fushata këto të mbështetura fuqishëm nga OSBE-ja dhe partnerët e tjerë të Policisë së Shtetit.

Sot, përmes kësaj qendre dhe këtij partneriteti të suksesshëm, ne japim një mesazh të qartë se siguria kërkon bashkëpunim, standarde të përbashkëta dhe vendosmëri të palëkundur.

Në përfundim, dëshiroj t’i siguroj partnerët dhe donatorët tanë se Policia e Shtetit do të vijojë me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë forcimin e kapaciteteve të saj në shërbim të qytetarëve.

Në aleancë të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ne do të kontribuojmë maksimalisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe kërcënimeve globale, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në vend, në rajon e më gjerë

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!