Hajdari qëndrim të fortë: Nuk lëshojmë asnjë centimetër, duam lista të hapura

schedule20:33 - 7 Korrik, 2020

schedule 20:33 - 7 Korrik, 2020

Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari pas takimit me kryeministrin Edi Rama në një deklaratë për mediat tha se listat e hapura janë të dobishme.

Hajdari u shpreh me vendosmëri se nuk do të ketë asnjë tërheqje për qëndrimet e saj.

Gjithashtu ajo theksoi se kryeministri Edi Rama duhet të vendosë nëse do të mbështesë apo jo shqiptarët.

Hajdari ka bërë me dije se as në këtë takim të dytë nuk ka vendimmarrje lidhur me vazhdimësinë e Reformës Zgjedhore dhe miratimin në Kuvend.

“Nëse kemi presion nga opozita jashtëparlamentare apo të huajt ne do të vazhdojmë të mos tërhiqemi. Listat e hapura janë të dobishme në gare. Të mos vazhdojmë të mbetemi peng i tre politikanëve.

Kjo kërkesë vjen në një kohë shumë të vështirë, por është e nevojshme që ne të kemi zgjedhje me standarde dhe duhet padyshim të bëhet realitet. Nëse Edi Rama do të zgjedhë të shkojë me opozitën jashtëparlamentare, ai po i kthen kurrizin shqiptarëve.

Nëse do të ndjekë rrugën institucionale për ta hapur listat atëherë i ka bërë nder Shqipërisë.  Ne i shtruam kërkesat tona, kuptohet që ka një presion të jashtëzakonshëm. Marrëveshja që është bërë midisi partive që atë tryezë i shërbeu integrimit të Shqipërisë, riktheu në sistem PD dhe LSI, por sot duhet të ketë mbështetje të shqiptarëve.

Pa pasur lista të hapura nuk ka mundësi që ne të votojmë. Nuk u vendos gjë, por u bë e qartë se çfarë do të ndodhë në vijim. Ne jemi union, nuk lëshojmë asnjë centimetër. Ka presione nga të gjitha anët”, tha Hajdari.