Gurishta: Do e falja golin për pikë ndaj Teutës! Luaj ku ka nevojë Vllaznia

schedule22:08 / 21/02/2020

Erdenis Gurishta do kishte dashur të mos shënonte në Durrës, vetëm e vetëm që Vllaznia të fitonte. Këtë e tha hapur sot në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes me Luftëtarin. Ai foli për objektivin e kuqebluve në këtë përballje, pozicionin e tij në fushë dhe për gjendjen e tij, pasi ka pasur një dëmtim ditët e fundit. Në fund Gurishta lëshon edhe një mesazh për tifozët e Vllaznisë.

GOLI NË DURRËS – “Për mua ishte diçka e bukur që shënova në atë takim, por nëse do të ishte në dorën time, do të dëshiroja që të mos shënoja vetëm që ekipi të arrinte që të merrte pikë në atë takim. Por fati nuk ishte me ne në atë përballje. Ne e filluam ndeshjen shumë mirë. Kur shënuam, nuk e di pse u kthyem pas. Pastaj pësuam tre gola, që tani nuk kanë nevojë për shumë koment. Nuk do të ndalem fare te takimi i Durrësit, por të shikojmë përpara për takimin që kemi nesër.

DËMTIMI DHE POZICIONI NË FUSHË– “Që në takimin me Teutën kam marrë një dëmtim në shpinë. Jam stërvitur për pak ditë dhe së bashku me stafin mjekësor dhe atë sportiv do të shikojmë nëse do të jem nesër në fushë apo jo”.

“Është e vërtetë që unë kam luajtur në disa pozicione, por të gjithë e dinë që roli im është në mbrojtje. Megjithatë kur e vendos stafi teknik, unë jam përherë i gatshëm që t’i përgjigjem atij dhe të luaj në çdo pozicion që më kërkojnë”.

OBJEKTIVI NDAJ LUFTËTARIT – “Sigurisht që fitorja është një detyrim dhe uk ka asnjë justifikim për një ndonjë rezultat tjetër. Kampionati po shkon drejt fundit dhe duhet medoemos që në takimet brenda të marrim pikët tona.

Ky kampionat ka treguar se me dy fitore je për Europë dhe me dy humbje rrezikon. Por ne nuk duhet që ta bëjmë alarmante këtë situatë. Ne duhet që të marrim 6 pikët në këto dy ndeshjet e radhës dhe përsëri do të jemi në lojë”.

MESAZHI PËR TIFOZËT – “Më vjen keq sepse sa herë kemi patur një tifozëri të shumtë në stadium, e kemi zhgënjyer. Por sërish i bëj thirrje atyre të na përkrahin, pasi kemi nevojë për ta. Jemi ekip i mirë dhe kemi shanse sërish për të qenë në Europë”, ka përfunduar Gurishta. /abcnews.al

schedule22:08 / 21/02/2020