Komisariati i Policisë Nr. 5 po vijon hetimet për zbardhjen e grabitjes së ndodhur në një argjendari në Paskuqan.
Sipas informacioneve, forcat e Policisë po zhvillojnë kontrolle në zonat e Zall Herrit dhe Kasallës, ku dyshohet se mund të fshihen dy autorët e ngjarjes.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë është konstatuar se autorët kanë lëvizur nëpër rrugica, duke shmangur zonat e mbuluara me kamera vëzhgimi.
Paraprakisht, dyshohet se nga grabitja janë marrë rreth 1.6 milionë lekë në bizhuteri ari dhe rreth 3 milionë lekë cash.
Grupi hetimor ka sekuestruar disa sende që dyshohet se u përkasin autorëve dhe që pritet t’i shërbejnë hetimit për identifikimin dhe kapjen e tyre.


