Një tjetër i dyshuar si një prej autorëve të grabitjes në Rinas bie në prangat e policisë. 50-vjeçari nga Kosova, i përmendur mes anëtarëve të bandës me emrin “Daja”, u zbulua pas rrëfimeve të të penduarit Alkond Bengasi.
Është arrestuar i dyshuari i gjashtë për grabitjen e 9 Prillit në Rinas. Burime nga policia bënë të ditur se ai është shtetasi nga Kosova që njihet mes pjesëtarëve të grupit me pseudonimin “Daja”. Identiteti i tij i vërtetë, sipas burimeve nga grupi hetimor, është Ragip Hajdini.
Policia e Shtetit bëri të ditur zyrtarisht se 50-vjeçari, lindur e banues në Pejë, është i dyshuar si një prej autorëve të grabitjes ne Rinas. Ai dyshohet për veprat penale “Vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtje pa leje e municioneve luftarake”, “Vrasje e punonjësve të policisë, e kryer ne bashkëpunim e mbetur në tentativë”.
Mësohet nga burimet e ABC News se 50-vjeçari Ragip Hajdini është ndaluar pranë Shkëmbit të Kavajës. Pseudonimi dhe të dhënat e këtij personi, ashtu si dhe për të arrestuarit e tjerë të kësaj ngjarjeje, janë zbuluar për grupin hetimor nga Alkond Bengasi, i arrestuari që ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë.
Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, Bengasi ka treguar se e kishte parë disa herë këtë shtetas nga Kosova, në shoqërinë edhe të Admir Muratajt. Bengasi ka rrëfyer se për herë të parë me Dajën ishin takuar tek një lokal pranë Shkëmbit të Kavajës, 6 muaj më parë, së bashku me Klement Çalën, Admir Muratajn e persona të tjerë.
Në dëshminë e tij para grupit hetimor, Alkond Bengasi, tregon se pas vrasjes së avokat Ravik Gurrës, ai ishte marre në pyetje në Policinë e Elbasanit sëbashku me të atin e Klement Çalës, Pëllumb Çala. Pikërisht pas lirimit, kushëriri i tij, Klement Cala e kishte paralajmëruar të kishte kujdes mos i kishin vënë ndonjë përgjues dhe i kishte deklaruar “këto ditë do të dëgjosh një tronditje të madhe”, që në fakt do të ishte grabitja e Rinasit.
Po sipas dëshmisë së Alkond Bengasit, që gjendet tashmë në dosjen e prokurorisë, Klement Çala jetonte bashkë me gruan e tij në një banesë, tek Liqeni i Thatë në Tiranë, pranë banesës ku jetonte ai. Në të njejtën zonë jetonte edhe Admir Murataj, të cilit, sipas Bengasit, i vinin shpesh në banesë bashkëshortja e tij Albana dhe dy vajzat.