Grabisnin banesa dhe biçikleta në Durrës, Lezhë dhe Krujë, arrestohen autorët

schedule11:43 - 2 Maj, 2021

schedule 11:43 - 2 Maj, 2021

Policia e Durrësit ka dokumentuar disa vjedhje të ndodhura më parë në Durrës, Krujë dhe Lezhë.

Uniformat blu bëjnë me dije se pas dokumentimit të vjedhjeve disa persona kanë rënë në pranga.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Lezhë, në vijim të punës për parandalimin dhe zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, arrestuan shtetasin Y. K., 37 vjeç, banues në fshatin Zallë, Krujë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autor i disa vjedhjeve të ndodhura në Krujë dhe Lezhë, konkretisht:

Ndërkohë më datë 31.03.2021, dyshohet se ka vjedhur disa pajisje shtëpiake në banesën e shtetasit S. Ll.;

Më datë 28.04.2021, dyshohet se ka vjedhur një armë gjahu në banesën e shtetasit F. Gj. (të cilën e dispononte me leje);

Më datë 17.04.2021, dyshohet se ka vjedhur në banesat e shtetasve G. Z. dhe A. S., banues në Lezhë;

Gjithashtu, më datë 30.04.2021, ka tentuar të vjedhë në banesat e shtetasve Gj. Z. dhe A. Z., banues në Lezhë.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Y. K., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë, 7 fishekë dhe vegla pune që dyshohet se i ka vjedhur.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasin P. P., 40 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas, në periudha të ndryshme kohore, në vende të ndryshme në Durrës, dyshohet ka vjedhur 5 biçikleta, në pronësi të shtetasve E. K., F. H., A. A., A. H. dhe H. H.

Sakaq materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/