Ashtu siç ishte paralajmëruar, mbështetësit e opozitës nisën protestën e tyre para Kryeministrisë rreth orës 20:00. Siç edhe ka ndodhur në protestat e kaluara, ajo është shoqëruar nga simbolika nga ana e tubuesve.
Ndryshe nga herët e tjera, protestuesit përpara godinës së qeverisë sollën edhe një gomar. Në kurriz, ata i kishin vënë një poster ku shkruhej “PS 30”. Ndërkohë gjithashtu, përpara Kryeministrisë, ata sollën edhe një kuti të madhe votimi, ku qytetarët hodhën fletët e tyre të votimit në të cilat shkruhej “Rama ik”.
Një tjetër simbolikë ishte edhe ajo e shqiponjës ku shkruhej 85%. Sipas opozitës, 85% e shqiptarëve bojkotuan Edi Ramën pasi nuk morën pjesë në zgjedhjet e 30 Qershorit.
Protesta e kësaj të hëne është e para pas zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Basha ka ftuar vazhdimisht gjatë këtyre ditëve shqiptarët që të bëhen pjesë e këtij tubimi. Në protestën e sotme do të ketë një fjalë të Bashës, më pas protestuesit do të zhvendosen para parlamentit dhe në fund kryedemokrati pritet të mbyllë protestën me një fjalë nga selia e PD. Për mbarëvajtjen e protestës janë angazhuar rreth 1200 forca policie./abcnews.al