Goditi me grusht Berishën, dy akuzat që rëndojnë mbi Gert Shehun

schedule15:33 - 7 Dhjetor, 2022

schedule 15:33 - 7 Dhjetor, 2022

Nga Xhensila Kodra

Gert Shehut që goditi me grusht në fytyrë kreun e Partisë Demokratike Sali Berishën, arrestimi iu komunikua në Spitalin e Traumës.

31-vjeçari do të hetohet për dy vepra penale, goditje për shkak të detyrës dhe plagosje e lehtë me dashje. Mbrëmjen e së martës, ai u tentua të rimerrej për të disatën herë në pyetje.

Por, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se deklarimet paraprake të të riut nuk mund të merren parasysh në këtë fazë të hetimit, për shkak të problemeve të shëndetit mendor. Me pranga në duar, ai i tha hetuesve se do të dëshmojë në një moment të dytë.

Ai vijon të marrë mjekim në Spitalin e Traumës, për shkak edhe të dëmtimeve që mori në trup nga bodigardët e Berishës.

Gjendja e tij është e stabilizuar, por sipas bluzave të bardha, do të qëndrojë i shtruar deri në përfundim të ekzaminimeve.

Nga ana tjetër, Policia dhe Prokuroria janë në pritje të raportit mjeko-ligjor për gjendjen mendore të 31 vjeçarit Shehu.

Një ditë më parë, zyrtarisht policia deklaroi se sipas diagnozës klinike, të vënë në dispozicion nga familjarët e të riut, Shehu vuan nga çrregullime psikotike dhe për këtë trajtohej prej vitesh.

Edhe në dëshminë që nëna e 31 vjeçarit dha para oficerëve, pohoi se i biri kurohej prej vitesh.

ABC ishte pranë banesës ku Gert Shehu jetonte në Tiranë. Fqinjët thonë se ai merte mjekim. Në pyetje policia ka marrë edhe mjekun psikiatër që ka vërtetuar problemet e shëndetit mendor të të riut./abcnews.al.