Goditet grupi i vjedhjeve të makinave në Tiranë, 4 në pranga

schedule10:32 - 29 Tetor, 2017

schedule 10:32 - 29 Tetor, 2017

Policia e Tiranës goditi të shtunën një grup personash të përfshirë në vjedhjen e automjeteve në kryeqytet, me qëllim shitjen e tyre në pikëgrumbullimet e skrapit për 500 deri në 1000 euro.
Gjatë operacionit policor të koduar “Skrapi” u arrestuan Mariglen Deva, 23 vjeç, Denis Baroka, 29 vjeç, Fatbardh Krova, 30 vjeç dhe Bledar Gjoka 38 vjeç. Ata do të hetohen për akuzën e “vjedhjes”.
Policia njoftoi se 23 vjeçari Deva u arrestua në kushtet e flagrancës teksa po tentonte të vidhte një mjet “Mercedes Benz” në rrugën “At Zef Pëllumbi”. Pak metra larg tij, në një mjet tjetër qëndronin në pritje tre të arrestuarit e tjerë. Burime policore sqaruan se të dyshuarit thyenin xhamin e pasëm të mjetit të shenjestruar dhe bënin ndezjen e tij duke i zëvendësuar centralinën.
Policia njoftoi se dy persona të tjerë, 54 dhe 41 vjeç, pronarë të pikave të skrapit ku dyshohet se shiteshin mjetet e vjedhura janë proceduar në gjendje të lirë për akuzën e “përvetësimit të sendeve të vjedhura”. Në bizneset e tyre u gjetën dhe sekuestruan si provë, pjesë të ndryshme mjetesh “Mercedes Benz” dhe “BMW”.