Nga financa dhe investment banking te mentorimi, sipërmarrja dhe skena e TEDx-it, Xhoana Sylaj ka ndërtuar një rrugëtim profesional larg të zakonshmes. E vendosur në Gjermani, ajo është themeluese e “Diva’s Dialogue”, një platformë që fokusohet te karriera, vetëbesimi, zhvillimi personal dhe fuqizimi i grave.
Me formim në Finance and Açounting dhe një MSc në Quantitative Finance, Xhoana e nisi karrierën në botën e financës, por me kalimin e viteve kuptoi se ajo që e motivonte më shumë ishte puna me njerëzit. Kështu lindi ideja për të krijuar një hapësirë ku profesionistët, veçanërisht gratë, të gjejnë më shumë kurajë për të ndryshuar dhe për të ndjekur ambiciet e tyre.
Sot, komuniteti i saj numëron mbi 150 mijë ndjekës, ndërsa mesazhet e saj kanë kaluar kufijtë e Gjermanisë. Në vitin 2025, Xhoana u përfshi në një listë të “Top 20 Female Founders”, ndërsa ishte gjithashtu ndër finalistët e “Diaspora Star”, në kategorinë Business Leaders. Ajo ka qenë folëse në TEDx Ëomen, ku ka ndarë eksperiencat e saj mbi karrierën, zgjedhjet profesionale dhe rëndësinë e guximit për të nisur një kapitull të ri.
Për Xhoanën, suksesi nuk matet vetëm me një pozicion të mirë pune apo një pagë të lartë. Suksesi është të bësh diçka që të jep kuptim dhe të ndjesh se puna jote ka ndikim te të tjerët.
Një tjetër dimension i veçantë i saj është muzika. Edhe pse jo shumë e pranishme në mediat tradicionale, Xhoana krijon dhe publikon këngë në shqip, duke eksploruar baladën romantike, afro-soul, kizombën, pop-in emocional dhe serenatat korçare.
Temat e këngëve të saj janë dashuria e fshehtë, malli, pendesa dhe forca femërore. Nga numrat e financës te fjalët që frymëzojnë dhe muzika që përcjell emocion, Xhoana Sylaj po ndërton një profil ku karriera, sipërmarrja dhe pasioni personal bashkohen në një histori të vetme. Dhe mesazhi i saj për të rinjtë shqiptarë është i qartë: mos prisni momentin perfekt, guxoni të filloni, të provoni, të gaboni dhe të mësoni./abcnews.al

