Apeli i kthen pasaportën Tahirit

schedule15:58 - 26 Dhjetor, 2017

schedule 15:58 - 26 Dhjetor, 2017

Apeli i Krimeve të Rënda i kthen pasaportën e bllokuar ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Përmes një vendimarrje të së martës, Apeli vendosi të shfuqizojë vendimin e Shkallës së Parë të datës 9 dhe 13 dhjetor 2017 për caktimin e masës së sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” ndaj tij. Ish-ministri nuk dha asnjë koment mbi vendimin.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri fitoi një betejë në luftën e tij me drejtësinë. Të martën ai mundi të lirohet nga “ngujimi” disa ditor brenda territorit shqiptar, urdhëruar nga një vendim i Gjykatës për Krimet e Rënda. Ishte Apeli i kësaj gjykate që pranoi kërkesën e ish-ministrit për shfuqizim e masës së sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit”. I njëjti vendim rrëzoi edhe urdhrin për sekuestrimin e pasaportës dhe kartës së tij të identitetit. Në përfundim të seancës ish-ministri nuk e fshehu buzëqeshjen. Ai nuk komentoi vendimin, ndërsa interesit të gazetarëve iu përgjigj me një urim.

Avokati Maks Haxhia theksoi se paraqiti argumente të reja në gjykatë.

“Nuk ka më nevojë të zbatimit dhe qëndrimit të kësaj mase”.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, përfaqsuesi i prokurorisë ka kërkuar vazhdimin e masës shtërnguese. Kundër këtij pretendimi është shfaqur ish-ministrit dhe avokatit, të cilët kanë bindur treshen gjykuese se nuk ishte e nevojshme zbatimi i kësaj mase sigurie.
Ish-ministri Tahiri po hetohet nga Krimet e Rënda për akuzën e “trafikut të narkotikëve në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal” dhe për “korrupsion i zyrtarëve të lartë”. Bazuar në disa akte të përcjella përmes letërporosive nga autoritetet italiane, prokuroria pretendon se Tahiri ka favorizuar anëtarë të grupit kriminal të Habilajve në trafikun e kanabisit./abcnews.al

Gazetar i ABC News: Armand Bajrami