Gjykata e Tiranës kërkon vlerësim nëse duhet gjykuar Tom Doshi

schedule16:48 - 5 Dhjetor, 2018

schedule 16:48 - 5 Dhjetor, 2018

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 18 muaj nga momenti kur deputetit Tom Doshi i është komunikuar akuza e “fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë”, gjykimi ndaj tij nuk ka filluar. Pas një “ping-pongu” mes gjykatave për kompetencën e gjykimit, Gjykata e Tiranës e ka çuar dosjen tek gjyqtari paraprak. Ai do të vleresojë nëse hetimet janë të plota dhe nëse deputeti Doshi duhet të shkojë për gjykim.

Pas disa ecejakesh nëpër shkallët e gjyqësorit në Shtator të vitit 2018 çështja iu la në dorë gjykatës së kryeqytetit, por gjykimi në themel nuk nisi. Përmes një vendimarrjeje të pak ditëve më parë Gjykata e Tiranës ka deklaruar moskompetencë të shqyrtimit të dosjes. Ndryshe nga herët e mëparshme, çështja nuk i është përcjellë një gjykate tjetër. Sipas vendimit, një kopje e të cilit është siguruar nga ABC News, gjykata urdhëron dërgimin e çështjes për kompetencë tek gjyqtari i seancës paraprake të Gjykatës së Tiranës. Referuar procedurës dhe ligjit në fuqi, gjyqtari paraprak shqyrton kërkesën e prokurorit për dërgimin e çështjes në gjyq.

Në këtë fazë që i paraprin fazës së gjykimit, gjykata çmon nëse hetimet e kryer nga prokuroria janë të plota dhe nëse dosja duhet të kalohet ne gjykim. Në arsyetimin e vendimit gjykata vlerëson së kjo vendimarrje diktohet nga një interpretim korrekt i ligjit pas ndryshimeve kushtetuese të hyra në fuqi në 1 Gusht 2017. Prokuroria ka ngritur dyshime se deputeti Tom Doshi nuk ka deklaruar tre automjete dhe disa transaksione financiare të kryer prej tij në harkun kohor 2005-2017./abcnews.al