Gjykata e Apelit në Katania në Itali ka lënë në burg Moisi Habilajn dhe anëtarët e bandës kriminale që mendohet se drejtohet nga ai. Mbi ta, ndër të tjera, rëndon akuza për trafik ndërkombëtar droge. Të premten ministri i brendshëm italian Marko Miniti do të jetë në një vizitë zyrtare në Tiranë
Të akuzuarit për trafik ndërkombëtar droge ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të qëndrojnë ende në burg. Mes tyre është dhe ai që dyshohet si kreu i bandës Moisi Habilaj. Prokuroria e Katanias vetëm dy ditë më parë kishte dërguar në gjykatë kërkesën për qëndrimin e mëtejshëm në qeli të të arrestuarve. Avokati i Mosisi Habilaj, Mauricio Katalano kishte deklaruar vetëm pak para seancës se priste lirimin e klientit të tij për mungesë provash. Por kjo gjë nuk u mor parasysh nga trupi gjykues duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Me mijëra kilogramë marijuanë janë sinjalizuar të hyjnë nga Shqipëria në Itali në periudhën 2013 – 2017 në Catania, Siracusa dhe Ragusa, nën drejtimin e atij që konsiderohet nga hetuesit italianë si kreu i organizatës kriminale Moisi Habilaj. Në listën e bashkëpunëtorëve të tjerë të tij është dhe vëllai i tij Forian Habilaj i cili është ende në kërkim ndërkombëtar.
Ditët e fundit tre prokurorë shqiptarë të krimeve të rënda kanë qenë në zyrat e prokurorisë së Katanias për të kërkuar materialet shtesë lidhur me hetimin katër vjeçar të kryer për bandën e Habilaj. Mediat nuk kanë mundur të zbardhin bisedat e palës shqiptare me atë italiane, por mendohet të jetë folur dhe për kërkesën për ekstradim të Nezar Seiti i cili u arerstua nga policia shqiptare në Vlorë në mes të muajit tetor. Ndërkohë të premten ministri italian i Brendshëm, Marko Miniti, do të jetë për një vizitë zyrtare në Tiranë.
https://youtu.be/H6jJ_m8jPsY