Gjonaj: Kallëzuam penalisht 3 drejtorë, shkarkuam 28 zyrtarë 

schedule15:35 - 7 Korrik, 2018

schedule 15:35 - 7 Korrik, 2018

Një kontroll 2-mujor i njësisë Task Forcë Antikorrupsion të qeverisë ka shkaktuar një rrebesh masash disiplinore, largimesh nga detyra dhe kallëzimesh penale të zyrtarëve të 35 institucioneve në vend. Detajet u bënë publike nga Koordinatorja Kombëtare e Antikorrupsionit, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

172 masa disiplinore, 28 të shkarkuar nga detyra dhe tre kallëzime penale për gjashtë drejtues të niveleve të ndryshme të administratës. Ky është bilanci i një kontrolli 2-mujor të zhvilluar nga njësia Task Forcë Antikorrupsion në 35 institucione qëndrore, ku ofrohet shërbim ndaj qytetarëve me qëllim evidentimin e praktikave abusive, korruptive dhe arbitrare. Detajet u bënë me dije nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, njëkohësisht koordinatore kombëtare Antikorrupsion.

“Kallëzim  penal për Regjistruesin e ZVRPP Krujë, për shkelje ligjore të rënda që plotësojnë elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Nga kontrollet janë konstatuar vonesa pa asnjë justifikim të praktikave të qytetarëve, veprime të dyshuara për korrupsion lidhur me certifikatat e pronësisë, mungesë transparence për menaxhimin e aplikimeve të qytetarëve, etj. Është depozituar kallëzim  penal për drejtorin e ALUIZNI-t Sarandë dhe për tre përgjegjës të po kësaj drejtorie, të sektorit të legalizimit dhe planifikimit urban  dhe të sektorit të kalimit të pronësisë, të cilët dyshohen të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke legalizuar sipërfaqe në letra më të mëdha se ato në realitet si dhe për mos respektim të afateve dhe procedurave për raste të legalizimeve”.

Kallëzimi i tretë penal i përkiste përgjegjësit të sektorit të asistencës ndaj shërbiumit tatimpaguesve në Drejtorinë e Tatimeve Vlorë, për dyshime mbi veprime që lidhen me “shpërdorimin e detyrës”. Sipas Gjonajt, bazuar në shkeljet e evidentuara vetëm për periudhën Maj – Qershor 2018, Task Forca Ndërinstitucionale Antikorrupsion ka rekomanduar Ministrave dhe drejtuesve të përgjithshëm 172 masa disiplinore, prej të cilave 28 largime nga detyra.

“Largimet nga detyra përfshijnë një numër të lartë punonjësish dhe një sërë drejtuesish të zyrave rajonale të hipotekës, ALUIZNIT, Tatimeve,  AKU-së, inspektorateve, Drejtorive Bujqësore, etj.  Konkretisht janë larguar nga detyra 4 drejtues drejtorish, 5 përgjegjës sektorësh dhe 19 specialistë”.

Me qëllim thellimin e luftës kundër korrupsionit, Gjonaj kërkoi mbështetjen e institucioneve të hetimit dhe të gjykimit si edhe inkurajimin e qytetarëve për t’iu bashkuar kësaj lufte. /abcnews.al