Gjiknuri: Një grup pune do të negociojë kontratën për aeroportin e Vlorës

schedule16:38 - 24 Janar, 2018

schedule 16:38 - 24 Janar, 2018

Brenda 90 ditësh një grup pune do të negociojë kontratën për ngritjen e Aeroportit të Vlorës. Qeveria kaloi me procedurë të përshpejtuar projektligjin ndërsa ministri i Infrastrukturës, Damian Gjinkuri, deklaroi se puna do të nisë brenda vitit.

Qeveria miratoi projektligjin për nisjen e negociatave për kontratën e ndërtimit të aeroportit të Vlorës.
Pasi kryeministri Edi Rama dha lajmin në faqen e tij në rrjetin social Facebook, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë shpjegoi vendimin në një deklaratë për mediat nga godina e kryeministrisë.

Damian Gjiknuri: “Këshilli i Ministrave kaloi me procedurë të përshpejtuar, e cila do të shkojë edhe në Kuvendin e Shqipërisë projektligj për fillimin e negociatave për një nga konsorciumet me ofertë më serioze për aeroportin e Vlorës. Bëhet fjalë për një propozim shumë serioz nga tre kompanitë më të mëdha turke. Kompani, të cilat në bashkimet e tyre janë të njëjtat kompani që po ndertojnë aeroportin e Stambollit, aeroportim më të madh që synohet të jetë ne botë.”

Bëhet fjalë për “Cengiz Construction”, “Kalyon Construction” dhe “Kolin Construction”, të cilat kanë paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës ofertën për ndërtimin e aeroportit të dytë për fluturime ndërkombëtare në vend, në zonën e Akërnisë, aty ku gjendet aeroporti ushtarak.

Damian Gjiknuri: “Kjo ofertë parashikon një investim afër 100 milionë euro. Do të jetë një projekt tërësisht me financim privat. Në vendimin e qeverisë parashikohet që është ngritur një grup negociatorë me përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të Ministrisë së Financave dhe institucione të tjera, të cilët në një periudhë gati 90-ditore do të negociojnë detajet e kësaj oferte. Ky aeroport do të fillojë të ndërtohet brenda këtij viti në një kohë rekord”.

Por ky sipas ministrit të Infrastrukturës nuk do të jetë aeroporti i vetëm që do t’i shtohet Shqipërisë.

Damian Gjiknuri: “Qeveria shqiptare është duke punuar intensivisht edhe për krijimin e akseseve të tjera dhe vënien në funksionim sit ë aeroportit të Kukësit, që ne shpresojmë që shumë shpejt të kemi një zgjidhje optimal dhe për të. Përnjëkohësisht po përfundojmë edhe studimin e fizibilitetit për aeroportin e Sarandës që do të jetë dhe ky një nyje tjetër e rëndësishme turistike”.

Së shpejti shpresoj dhe Kukësin, komentonte më herët edhe kryeministri Rama në Facebook./abcnews.al