Gjermani, Schulz: “Mbështes nisjen e bisedimeve me Merkel”

schedule20:51 - 1 Dhjetor, 2017

schedule 20:51 - 1 Dhjetor, 2017

Lideri i Socialdemokratëve, Martin Shulc ka mohuar se ka dhënë dritën jeshile për formimin e një koalicion të madh qeverisës me partinë e Angela Merkel. Megjithatë ai u shpreh i gatshëm të bisedojë me Kristiandemokratët.

Lideri i Socialdemokratëve, Martin Shulc, u shfaq i irrituar në një podium në Berlin të premten. Ai doli në një konferencë për media për të mohuar se partia e tij është zyrtarisht gati të nisë bisedimet me Kristiandemokratët e Angela Merkel për formimin e një koalicioni të madh qeverisës në Gjermani.

Martin Schulz, kryetar i Partisë Socialdemokrate: “Mund ta hedh poshtë krejtësisht thashethemet se një dritë e gjelbër është dhënë. Është krejtësisht false dhe e papranueshme. Mënyra se si qarkullojnë raportime të gabuara shkatërrojnë besimin”.

Ky qëndrim i Shulc vjen pas takimit që ka pasur me kancelaren Angela Merkel, liderin konservator të Bavarisë, Horst Seehofer dhe presidentin gjerman, Frank Valter Shtajnmajër. Në këto takime është diskutuar lidhur me mundësitë e një qeverie të re. Por gazeta gjermane, Bild si dhe agjencia e lajmeve Rojters dhe DPA raportuan gjatë të premtes se është arritur një marrëveshje për të shqyrtuar mundësinë e koalicionit të madh.

Për këtë, Shulc tha se kishte telefonuar kancelaren Merkel për t’i thënë se çdo pretendim i tillë nga konservatorët e saj në media do të shikohet si “një shkelje e besimit”. Megjithatë ai nuk u shpreh kundër bisedimeve me Kristiandemokratët.

Që prej 24 shtatori, Gjermania po kalon një krizë politike. Partia e kancelares Angela Merkel nuk arriti të fitojë mazhorancën e plotë në mënyrë që të qeveriste e vetme. Gjithashtu partia e saj dështoi në bisedimet me dy parti të tjera për një koalicion qeverisës. Shpresa e vetme tashmë është një bashkëqeverisje me Socialdemokratët, ose në të kundërt do të ketë zgjedhje të reja./abcnews.al