Gjergj Leka: Nuk po na ngelin më këngë shqip

schedule21:45 - 25 Dhjetor, 2018

schedule 21:45 - 25 Dhjetor, 2018

Puntata e kësaj të marte e emisionit “Provokacija” nisi ndryshe me një pjesë të këngës së Gjergj Lekës, “Një ditë tjetër”. Këngëtari ishte i ftuar në ABC News, ku foli rreth këngës së tij, mesazhit që dha në Festivalin e Këngës si dhe u ndal në disa tematika të ndryshme. Leka tregoi se “Një ditë tjetër” tregon realitetin.

“Unë e shkruajta që të bënte përshtypje dhe natyrisht të hynte në ato veshë që duhet. Fakti që hyri në shumë veshë është akoma më mirë sepse disa protestojnë rrugëve, ca protestojnë në mënyrën e tyre. Unë dhe brezi im nuk protestojmë fare. Kënga është reale. Nuk ka asnjë gënjeshtër”, tha ai.

Me këngën e tij, Leka i dërgoi një mesazh politikanëve. “Për ju nuk do të jetë një ditë e bukur” ishte vargu i këngëtarit dedikuar atyre që ai nuk i duron dot.

“Uroj që kjo t’u ndodhë dhe të më dëgjojë dhe Zoti se sot jemi në një ditë Krishtlindjesh. Gëzuar të gjithëve, edhe politikanëve që s’i duroj dot, por në këtë ditë duhet të jemi më të mirë dhe jemi më të mirë se ata. Unë mundohem të protestoj me shumë kulturë në fillim. Kështu kam protestuar dhe kur kam qenë i ri. Një ditë të bukur meritojmë ne si popull jo ata që na drejtojnë. Ata nuk meritojnë një ditë të bukur”, tha ai.

“Një ditë tjetër” Leka natën e tretë të Festivalit ua dedikoi studentëve. Ai tha në “Provokacija” se me protestën e tyre ia ngjallën shpresën.

Këngën natën e tretë ia dedikova studentëve. Është guxim sot të protestosh, sepse qeveria sot i ka të gjitha mjetet që të bën të mos protestosh. Janë shumë të pasuruar, janë shumë të lidhur, kanë futur në punë militantët si një qeveri si tjetra. Unë nuk dua as njërën, as tjetrën. Muç mua po më shuhet shpresa dhe po e them më shuhet shpresa e m’u ringjall me këtë protestën e studentëve, por që fatkeqësisht m’u duk sikur u shua”, tha Leka.

Megjithatë mediat kanë aluduar, por Gjergj Leka nuk e ka shkruar këngën për studentët, pasi është bërë që në Gusht.

“Mediat kanë thënë që e kam bërë për studentët. Nuk e kam bërë për studentët. Kënga është bërë në Gusht. Është përkim interesant dhe nga juria si preferencë unë isha i dyti dhe jam habitur”, shpjegoi ai.

Ndryshe nga studentët, artistët do të mbeten të strukur për Lekën. Sipas tij shumë arsitë kanë urrejtje mes njëri tjetrit.

“Ne do mbetemi ata që struken. Nuk ka protestë te artistët. Unë e pashë te teatri edhe bravo u qoftë atyre që dolën dhe jazëk u qoftë ca të tjerëve sepse po të ishim ne bashkë si artistë se tregu është i vogël, por midis nesh ka urrejtje jo ambicie. Nuk shkojnë mirë artistët me artistët dhe inatet personale ndikojnë për keq edhe shumë keq për ëndrrat që artistët kanë”, u shpreh ai.

Kënga fituese e Festivalit shkon në Eurosong dhe kjo sipas Gjergj Lekës e ka shkatërruar festivalin. Ai tha në “Provokacija” se po zhduken këngët shqip.

“Për mendimin tim kjo puna e Eurosong-ut bëri që të gjithë të duan të shkojnë atje dhe nuk përqëndrohen te kënga se si duhet të jetë kënga, por mendojnë që duke e bërë këngën siç ka qenë një vit më parë do shkojnë atje. Kjo ka vite që po ndodh dhe unë e quaj fatkeqësi.

Konkurrentët të bëjnë këngë siç i ndjejnë dhe siç i duhet Shqipërisë kënga në radhë të parë se kështu nuk po na ngelin këngë o Muç. Më thuaj një këngë që po dëgjon dhe bie era shqip në festival. Unë isha i lumtur teksa ekzistonte një Këngë Magjike që është një show dhe Këngën Magjike unë e krahasoja me Festivalin Bari të Vitoria Salvetit, që kur vdiq Vitoria nuk bëhet më dhe festivalin e krahasoja me Sanremon. Ai që shkon në Sanremo nuk mendon se do ikë në festivalin europian. Këtu është një krahasim shumë i madh. Ne të gjithë kompozitorët duam çmimin e parë për titull. Ai tjetri s’e ka problem. Ai vazhdon të kultivojë këngën italiane. Bie era Itali, por çfarë ere bien këto këngët tona”, tha ai./abcnews.al