Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Mbrëmje Ide” në ABC News. Për sa i përket deklaratave të eurodeputetëve të PE-së kundër djegies së mandateve, ai tha se opozita i respekton ata, por sipas tij nuk kanë informacionet e saktë për gjendjen reale të vendit.
“Jo vetëm për eurodeputetët, por edhe për faktorin ndërkombëtar në përgjithësi dhe opozita i respekton ata, por duhet të dimë që ata mbështeten në informacione empirike që kanë të bëjnë me interesa të ndryshme qoftë edhe ideologjike. Ça kërkojmë ne? Absolutisht zgjedhje të lira dhe të ndershme si në Gjermaninë e Fleckenstein. Asgjë më shumë se çfarë standardesh kanë këta për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo është ajo çfarë kërkojmë nga ndërkombëtarët. Djegia e mandateve ka nxjerrë në sipërfaqe gjithçka, sidomos faktorin ndërkombëtar”, tha Gjata.
Gjata theksoi se veprimi i opozitës nxorri në sipërfaqe probleme të tjera të mëdha të vendit që lidhen dhe me BE-në dhe institucionet që i japin informacione unionit. Megjithatë, për sekretarin e çështjeve ligjore në PD, retorika e përdorur nga ndërkombëtarët është e zakonshme në situata të tilla. I pyetur nëse do të fillojnë negociata me Ramën nëse Presidenti do të propozonte që të uleshin në tavolinë, Gjata nënvizoi se nuk do të ketë negociata me kryeministrin.
“Presidenti është President, por negociata me Ramën nuk ka. Kjo është e fundit sepse u provua njëherë për hatër të ndërkombëtarëve. U bë marrëveshja, e shikoni ku erdhëm prapë? Jemi me qindra miliona euro të vjedhura më shumë, me kriminelë më shumë, ku na çoi kjo? Kjo është çështje e Presidentit, por unë mendoj se nuk ka ulje në tavolinë me Ramën”, tha Gjata.
Më tej, ai tha se nuk ka asnjë lloj komunikimi me anëtarët e mazhorancës. Për sa i përket frikës për një konflikt social, Gjata tha se nuk ka asnjë shqiptar që përplaset për Edi Ramën. Sipas tij, opozita ka një strategji, por nuk mund të parashikohet se çfarë do të ndodhë në fund.
“Nuk ka përplasur askush derën, por mendoj që deputetët e opozitës kanë lënë letrat. Kjo është më keq se të përplasësh derën. Në Gjermani nuk le kush letrat. Ne po kërkojmë këtë standard, por jo në këtë situatë. Opozita ka strategjinë e vet, çdo gjë do vijë hap pas hapi, por ta themi që çfarë do të ndodhë në fund nuk e bëjmë dot. Jemi në një situatë ku populli ka dalë në rrugë, jo për PD-në, por për pakënaqësinë tënde. E patë çfarë proteste ishte e 16 Shkurtit? Nuk mund të vazhdohej më. Ne protestojmë para parlamentit. Jemi në një betejë. Mendoni çfarë ulje do bisedojmë me këta njerëz që na gjuajnë e gaz lotsjellës.
Që mos të shkojmë në atë përballje sociale që nuk do ketë. Nuk ka shqiptar që përplaset për Edi Ramën, harroje! Pas kësaj duhet qeveri tranzitore që t’i hapë rrugë drejtësisë të hetohen ata që nuk po hetohen”, tha sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike. /abcnews.al