Gati heqja e orës policore në Kosovë, të gjitha masat që pritet të hyjnë në fuqi

schedule16:36 - 14 Janar, 2021

schedule 16:36 - 14 Janar, 2021

Ora policore do të hiqet në të gjitha komunat në Kosovë ndërkohë që do të zgjatet orari i punës për lokalet e gastronomisë. Po ashtu, do të lejohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve. Masat e reja pritet të miratohen së shpejti nga qeveria e Kosovës.

Siç ka mësuar Gazeta Express përmes burimeve nga Ministria e Shëndetësisë, do të hiqet ora policore në të gjitha komunat e vendit. Po ashtu, do të zgjatet orari i punës për gastronominë, nga ora 20:00 sa është tani, deri në orën 21:00 ose 22:00, kjo do të bëhet për secilin kategorizim të komunave.

Me masat e reja, lehtësim do të ketë edhe për veprimtaritë e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve, deri në 30 për qind të përfaqësues së kapacitetit të hapësirave. Express mëson po ashtu se nuk do të lejohen grumbullimet e qytetarëve dhe tubimet publike me më shumë se 30 persona.

Ndërkohë, drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se pas rënies së numrit të rasteve pozitive dhe kalimit të shumicës së komunave nga zona e kuqe në zonën e verdhë apo të gjelbër, ka ardhur momenti për lehtësim të masave.

“Pasi shumica e komunave të cilat kanë qenë të kategorizuara në zonën e kuqe kanë kaluar në zona të verdha apo të gjelbërta dhe duke marrë parasysh që këto masa kanë dhënë rezultate pozitive, pasi numri i rasteve pozitive është në rënie e sipër, po ashtu pasi masat nuk janë rishqyrtuar për një kohë të caktuar, mendojmë se ka ardhur momenti që të ftohet takimi ndërinstitucional për rishqyrtim të masave. ”, ka deklaruar Ibrahimi./mv.abcnews.al