Gara “Tirana Triathlon”, qytetarët mbushin parkun e Farkës

schedule14:05 - 10 Qershor, 2018

schedule 14:05 - 10 Qershor, 2018

Not, çiklizëm, vrap, tre disiplinat me popullore sportiv u zhvilluan në një garë të vetme këtë të dielë në parkun e liqenit të Farkës. Gara e Triathon-it zhvillohet për herë të parë në Tiranë dhe sipas kryebashkiakut  Erion Veliaj është një mundësi e mirë për të promovuar kryeqytetin.

Liqeni i Farkës u shndërruar në mikpritësin e garës së parë të Triathlon-it në Tiranë, një sport që bashkon tre disiplinat më të praktikuara në një garë të vetme: not, çiklizëm, vrap.

Në garë morën pjesë sportistë profesionistë dhe amatorë te cilet përshkruan distancat 750 m not, 11 km biçikletë dhe 4 km vrap të zhvilluara njëra pas tjetrës.

Vendin e parë për femra e zuri Jelena Tomaseviç, kurse për meshkuj Strahinja Trakiç.

Në nisje të saj, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se falë aktiviteteve të tilla sportive dhe kulturore të organizuara në kryeqytet, mediat prestigjoze ndërkombëtare e rendisin Tiranën si një ndër dhjetë qytetet më të mira për t’u vizituar në Europë.

 “Jam shumë i lumtur që Lonely Planet e ka renditur Tiranën si një nga dhjetë qytetet më të mira për t’u vizituar në Europë. Kjo do të thotë se puna që kemi bërë bashkë, jo vetëm bashkia, por i gjithë qyteti me 1 milion banorë, ia kanë rritur emrin e Tiranës, që sot është një nga dhjetë qytetet më të vizitueshme në Europë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi organizimin e garës së parë të Triathlon-it ndërsa deklaroi se kjo nismë do të kthehet në një traditë të suksesshme që do të sjellë mjaft vizitorë të huaj.

“Duhet të pranojmë që është vetëm hera e parë që organizojmë një aktivitet të tillë. Kur organizuam Maratonën e Tiranës, në garën e parë kishim vetëm 100 vetë. Në garën e dytë kishim 2500 garues vetëm nga jashtë; është vetëm çështje sa të kalojmë testin e parë të një gare profesioniste dhe vitin tjetër të kemi mijëra të tjerë, që ndoshta do na vijnë nga vende të ndryshme”, deklaroi Veliaj.

Tirana Triathlon është edhe një mundësi e mirë promovimi e sporteve të ndryshme, aktivitetit fizik dhe promovimin e pikave turistike të kryeqytetit, si natyra fantastike e Liqenit të Farkës. Veliaj siguroi se shumë shpejt edhe Liqeni i Farkës do të kthehet në një hapësirë tërheqëse për qytetarët e Tiranës për të kaluar disa orë çlodhjeje pranë natyrës./abcnews.al