TIRANË- Shqipëria dënon sulmet iraniane ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kryeministri Edi Rama thotë se akte të tilla ndaj një kombi sovran janë reflekse të një sistemi të destinuar të dështoi por dhe një përpjekje të dëshpëruar për cenimin e stabilitetit në Lindjen e Mesme.
“Shënjestrimi i një oazi paqësor si Dubai me raketa urrejtjeje dhe shkatërrimi zbulon edhe një herë natyrën e vërtetë të regjimit mesjetar në Teheran. Ky është refleksi i një sistemi të destinuar të dështojë, një sistemi që eksporton dhunë dhe përdor terrorin si armë kundër fqinjëve që kërkojnë paqe, për t’i frikësuar jo vetëm ata, por para së gjithash popullin e vet që kërkon liri”, shkruan kryeministri.
Kryeministri thotë se vendi ynë mbetet i palëkundur dhe në solidaritet të plotë me popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat janë kthyer në një simbol për promovimin e paqes, që ka zgjedhur zhvillimin mbi shkatërrimin dhe paqen mbi luftën.
“Siguria në Gjirin Persik nuk është një çështje lokale; ajo është një domosdoshmëri globale. Çdo përpjekje për ta destabilizuar atë kërcënon jo vetëm rrugët energjetike, korridoret tregtare dhe arkitekturën e brishtë të paqes rajonale, por edhe ekuilibrin më të gjerë të sigurisë ndërkombëtare”, pohoi ai.
Ndërsa i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të flasë me qartësi dhe unitet.
“Agresioni i sponsorizuar nga shteti, sulmet me raketa kundër mjediseve civile dhe destabilizimi i qëllimshëm nga një regjim që vret popullin e vet në shkallë masive nuk mund të lënë asnjë vend për Republikën Khomeiniste në bashkësinë e kombeve, pavarësisht dallimeve në sisteme apo pikëpamjeve politike”, shkruan Rama.
Rruga përpara për rajonin nuk shkruhet me raketa, thotë Rama, por me njohje të ndërsjellë, integrim ekonomik dhe udhëheqje të përgjegjshme.
Ndërsa një ditë më parë, kreu i qeverisë tha se Shqipëria do e rendisë Gardën Revolucionare Islamike në Iran, një organizatë terroriste njëjtë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës./abcnews.al


