FSHF për përjashtimin e klubeve nga Superliga për borxhet: Ja kush rrezikon

schedule15:30 - 25 July, 2019

schedule15:30 - 25 July, 2019

Federata Shqiptare e Futbollit pritet të veprojë seriozisht me klubet që nuk do të shlyejnë borxhet. Burime brenda saj pohojnë se ka rrezik për Flamurtarin, ndërsa Tirana e Vllaznia kanë nisur pagesat.

Premtohet se ky vit do të jetë ndryshe. Federata Shqiptare e Futbollit mesa duket ka ndërmend ta cilësojë 2019-ën si vitin Zero për zbatimin e rregullave financiare, dhe burime brenda saj pohojnë se klubet që nuk do të jenë në rregull në 31 korrik, nuk do të pranohen në kampionat.

Pavarësisht skenarëve që publikohen ditë pas dite, pritet që edhe emrat më të njohur t’i nënshtrohen kontrollit, ndonëse të paktën dy prej tyre kanë nisur të veprojnë.

Tirana ka bërë pagesa në organet tatimore prej mbi 200 milionë lekësh të vjetër, si dhe ka nisur shlyerjen mujore prej mbi 20 milionësh.

Gjithsesi, muajt e fundit, klubi bardheblu nuk ka paguar në tatime, duke pritur edhe një falje të mundshme nga ana e qeverisë, sipas premtimit të kryeministrit Rama në tryezën me sportin.

Nga rreth 1 miliardë lekë të vjetër që tiranasit i detyrohen shtetit, vetëm 400 milionë janë detyrimi principal, ndërsa pjesa tjetër janë gjoba dhe kamatëvonesa.

Vllaznia po ashtu ka nisur shlyerjet e detyrimeve.

Sipas burimeve në Federatë, rreziku më i madh i kanoset Flamurtarit, I cili nuk ka bërë ende asnjë veprim, të paktën sipas këtyre burimeve.

E vështirë edhe gjendja e Luftëtarit, presidenti i të cilit Tavo dha dorëheqjen pak ditë më parë.

Në Federatë pohojnë se gjendja u bë edhe më e vështirë, pasi kryeministri Rama nuk mbajti premtimin për të miratuar ndryshimet ligjore për sportin në muajin qershor, gjë që ndodhi pas acarimit të situatës politike.

Përsa i përket Skënderbeut, nuk dihet nëse do të ketë ndonjë vendim të Komisionit të Etikës, pas konfirmimit nga KAS të dënimit të UEFA-s, ndonëse korçarët kanë bërë me dije se do ta ndjekin çështjen në Gjykatën Federale në Zvicër.

Burime pranë klubit pohojnë se presidenti Takaj mund të presë të paktën edhe një vit, deri në shqyrtimin e çështjes, ndërsa mund ta mbajë pa problem ekipin në Superligë me 350 milionë lekë të vjetër të dhënë nga Bashkia, dhe me një buxhet të vetin, kuptohet shumë më të vogël se vitet e tjera. / ABC News Albania 24/7