Agjencitë turistike në Krujë do kishin nisur aktivitetin që në muajin mars. Por pandemia ka bllokuar turistët dhe për pasojë, edhe punën e tyre.
Muzeu dhe kalaja e Krujës siç duket dhe nga pamjet janë bosh.
Burhan Hafizi ka 29 vite që është drejtues i këtyre monumenteve me vlera historike që mbledhin gjatë gjithë vitit turistë. Ai shpreson që pandemia të zgjasë sa më pak që të rinisë gjallëria dhe turistët të kthehen.
“Në këtë periudhë në një ditë normale ne do të ishim plot me vizitorë. Ambientet e muzeve do ishin plot, pasi agjencitë turistike do kishin nisur aktivitetin me kohë të plotë. Kjo është një situatë mbarë botërore dhe jemi të detyruar të zbatojmë rregullat. Shpresojmë që të kalojë sa më shpejt që të hapemi dhe të jemi në funksion”, tha Hafizi.
Drejtorit Hafizi thotë se pandemia të paktën ju ka shërbyer për të bërë disa punime.
“Jemi munduar të realizojmë disa punë që nuk mund ti realizonim në prani të vizitorëve. Si në ambiente e brendshme të muzeve ashtu edhe në ato të jashtme. Kemi marrë masa edhe për higjienën e brendshme”, u shpreh ai.
Edhe turistët vendas nuk kanë lëvizur shumë këto kohë për shkak të përhapjes të koronavirusit në këtë qytet.
Ndërsa kalaja vazhdon të jetë e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar. Puna për restaurimin e saj që ajo të kthehet në identitet nuk ka nisur.
Pranë Muzeut ndodhet dhe pazari karakteristik i Krujës, ndërkohë qepenat e dyqaneve ende janë të mbyllura./abcnews.al