“Frika nga Mini Shengeni”, Alma Lama: Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë

schedule08:43 - 24 Dhjetor, 2019

schedule 08:43 - 24 Dhjetor, 2019

Ish- ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Alma Lama në një lidhje me “Abc e mëngjesit”, ka folur për samitin e Mini Shengenit. Lama u shpreh se ka ndikuar negativisht në raportet ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës. Ajo theksoi se ka ardhur momenti që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët.

“Ka një evoluim negativ në raportet ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës. Nuk ishte pamje e mirë që kryeministri i Shqipërisë drejton akuza ndaj Kosovës. Duket sikur ka një zhvendosje mosbesimi. Ka ardhur momenti që të dy palët të ulen në tryeza të përbashkëta dhe të gjejnë gjuhën  e përbashkët. Edhe pse në Prishtinë nuk ka një qeveri të krijuar, vazhdojnë mëritë. Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë në çdo moment. Do duhej të kishtë një harmonizim të politikës së jashtme”, deklaroi Lama.

Më tej ajo theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor janë në provë për bashkëpunimin ndërmjet tyre.

“Kërkohet që të shuhen të gjitha mosmarrëveshjet në rajon. Problemi ndërmejt Kosovës dhe Serbisë është tepër i mprehtë. Rama e ka marrë pak më të lehtë se sa është në realitet. Kosova nuk ka besim që Shqipëria ka forcën që të detyrojë Serbinë ti përmbahet marrëveshjeve. Kjo mund të vijë vetëm nga SHBA-të”, u shpreh ambasadorja.

E pyetur se përse Mini Shengeni mendohet se është ide e Rusisë, ajo theksoi se kjo nuk dihet, por mosbesimi është i një shkalle të lartë sepse Serbia luan me dy karta.

Sa i përket mohimit të masakrës së Reçakut nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, e vlerësoi si të turpshme.

“Është e turpshme që presidenti i Serbisë mohon Reçakun dhe po aq e turpshme është që institucionet në Kosovë kanë po aq fakte për tu përballur me Serbinë dhe nuk ndodh”, tha ndër të tjera Lama./abcnews.al