Freedom House për lirinë e medias: Shqipëria pjesërisht e lirë

schedule08:53 - 25 Prill, 2018

schedule 08:53 - 25 Prill, 2018

Liria e mediave në Shqipëri dhe Kosovë janë pjesërisht të lira. Vlerësimi është bërë nga Freedom House në raportin e publikuar së fundi. Në Ballkan, shtetet ku mediat janë të lira konsiderohen Kroacia dhe Serbia.

Liria e medias është duke u përballur me kërcënime të reja. Është ky vlerësimi në raportin më të fundit të Freedom House, duke iu referuar jo vetëm vendeve me demokraci të mëdha por edhe shteteve shtypëse ku autoritetet po përqëndrojnë përpjekjet e tyre në mediat sociale dhe platformat e tjera në internet pas goditjes së pavarësisë së medieve tradicionale.

Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ndërsa Serbia dhe Kroacia, radhiten në mesin e vendeve të lira.

Organizata Freedom House ka analizuar të dhënat nga 195 vende, në vitin 2017,  nga të cilat 88 vende radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 janë me liri të pjesshme dhe 49 radhiten në mesin e vendeve jo të lira.

Sipas Presidentit të Freedom House, Michael Abramovitz, udhëheqësit populistë sot paraqesin një sfidë të re dhe në rritje për lirinë e shprehjes në shoqëritë e hapura dhe ndërhyrja nga Rusia dhe Kina e ka shtuar kërcënimin.

“Sulmi ndaj lirisë së shtypit është një sulm kundër një institucioni thelbësor të demokracisë. Udhëheqësit e zgjedhur që përpiqen të diskreditojnë raportimin faktik dhe kritik po dëmtojnë llogaridhënien demokratike dhe debatin e arsyetuar politik”.

Në prag të ditës botërore të lirisë së medies, Freedom House, ka analizuar gjendjen duke u mbështetur në raportet e tij për Lirinë në Botë, Vendet në tranzicion dhe Lirinë në internet, sipas së cilës, pavarësia e medias është nën trysni në cdo rajon të botës, por po ashtu gazetarët e përkushtuar ende luajnë rol thelbësor në një mjedis ende më armiqësor.

Në raport theksohet se demokracia u përball me krizën më serioze në dekada në vitit 2017, pasi parimet themelore të saj, përfshirë garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të drejtat e pakicave, liria e shtypit dhe sundimi i ligjit, u sulmuan në mbarë botën.

Shtatëdhjetë e një vende pësuan rënie në të drejtat politike dhe në liritë civile, me vetëm 35 që shënuan përparim. Kjo shënoi vitin e 12 radhazi të rënies së lirisë globale./abcnews.al