Foto e Xhengos për eksodin 1991, pjesë e posterave të historisë europiane të një shekulli

schedule17:39 - 8 Maj, 2022

schedule 17:39 - 8 Maj, 2022

Nga Erisa Zykaj

Fotografia e Gani Xhengos mbi eksodin e 7 gushtit 1991  bëhet pjesë e posterave më të rëndësishëm të historisë europiane të një shekulli. Ajo ekspozohet aktualisht në ekspozitën ” Kur muret flasin” në shtëpinë e historisë europiane në Bruksel

Duke shkrepur këtë fotografi në 7 gusht 1991, Gani Xhengo nuk e kishte imagjinuar, që ajo do të udhëtonte në shumë vende të botës e aq më pak që kjo fotografi do të bëhej një ditë zyrtarisht pjesë e historisë europiane në formën e posterit. Ky poster është ekspozuar aktualisht në shtëpinë e historisë europiane në Bruksel, në ekspozitën e titulluar “ Kur muret flasin”. Për presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, kjo ekspozitë është dëshmi e momenteve më kyçe të një shekulli të historisë europiane.

Roberta Metsola, presidente e Parlamentit Europian:

“Faleminderit që më jepni mundësinë të eksploroj me ju sot një shekull të historisë së kontinentit tonë europian përmes përzgjedhjes së posterave europianë. Në kohët e rrjeteve sociale, sytë dhe veshët tona konsumojnë imazhe dhe fjalë rrëmbimthi. Por vlera e një posteri mbetet aty, e pandikuar nga evolucioni teknologjik ».

Për fotoreporterin Gani Xhengo, posteri i bazuar në fotografinë e tij mishëron një moment dramatik të popullit shqiptar dhe e bën Shqipërinë edhe pjesë artistike të historisë europiane. Përgjegjësja për projekte artistike në shtëpinë e historisë europiane, Etleva Habili tregon, se posteri mbi eksodin shqiptar është përzgjedhur midis mijëra posterave si një ngjarje historike domethënëse të eksodeve që kanë ndodhur në Europë

“Ka patur disa eksode në vitin 1991, por ky i 7 gushtit 1991 është spektakolar por njëkohësisht dhe dramatik, pasi mbi 25 mijë shqiptarë rrëmbyen anijen « Vlora » dhe të nesërmen përfunduar në Bari të Italisë “, tha Gani Xhengo.

“Dhe pikërisht në kapitullin që tregojnë eksodet që kanë ndodhur në periudha të ndryshme historike, fotografia e zoti Xhengo u konsiderua si nga nga pjesët kryesore dhe më të rëndësishme”, tha Etleva Habili.

“Fotoja e bazuar mbi posterin bëhet pjesë e historisë europiane, por bëhet Shqipëria në radhë të parë , pasi është pjesëmarrëse edhe Shqipëria në këtë ekspozitë, këtë ngjarje”, u shpreh Gani Xhengo.

Ekspozita “Kur muret flasin” është e hapur për publikun në shtëpinë e historisë europiane pranë Parlamentit Europian.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!