Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

FOTO/ Brenda stanit ku fshihej Violand Braçellari, ku mbeti i vrarë një polici dhe një tjetër u plagos

schedule12:52 - 4 Qershor, 2026

schedule 12:52 - 4 Qershor, 2026

Një operacion për kapjen e një personi në kërkim në Maliq është kthyer në tragjedi për Policinë e Shtetit. Efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, 34 vjeç, mbeti i vrarë, ndërsa kolegu i tij, Edison Adri, 36 vjeç, u plagos rëndë gjatë një shkëmbimi zjarri në fshatin Lozhan.

ABC News ka siguruar foto brenda stanit ku fshihej 43 vjecari Bracellar, person i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 10 vite burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Sipas të dhënave paraprake, forcat e policisë kishin lokalizuar vendndodhjen e tij dhe kishin organizuar operacionin për arrestimin.



Pas rrethimit të objektit, efektivët i kanë bërë thirrje Braçellarit të dorëzohej, por ai ka reaguar duke hapur zjarr në drejtim të uniformave blu. Nga të shtënat, efektivi Enea Mekolli u godit për vdekje, ndërsa kolegu i tij Edison Adri mbeti i plagosur rëndë. Burime pranë hetimit konfirmojnë se plumbi i ka përshkuar nofullën, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Ai u transportua fillimisht në spitalin e Korçës dhe më pas me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.

Gjatë kundërpërgjigjes së forcave të policisë, autori mbeti i plagosur dhe u vu në pranga. Fillimisht ai mori ndihmë mjekësore në Korçë dhe më pas u transferua drejt Tiranës nën masa të forta sigurie.

Hetimet kanë zbuluar se Braçellari, ish-ushtarak profesionist dhe njohës i armëve të zjarrit, konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në vitin 2017 ai u dënua me 10 vite burg për trafik narkotikësh, vendim që u la në fuqi nga Apeli dhe më pas edhe nga Gjykata e Lartë në janar të vitit 2024.

Megjithatë, mbetet ende e paqartë se si 43-vjeçari ndodhej në liri, pavarësisht vendimit të formës së prerë. Emri i tij rezulton i përfshirë edhe në procedime të tjera penale. Në vitin 2024 ai u mor i pandehur për plagosje të lehtë me dashje, ndërsa në fillim të këtij viti gjykata urdhëroi njoftimin e tij për një proces gjyqësor, pasi nuk ishte gjetur në adresën e deklaruar të banimit.

Grupi hetimor po vijon veprimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa vrasja e efektivit të “Shqiponjave” konsiderohet një nga ngjarjet më të rënda që ka goditur Policinë e Shtetit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!