Forcat e Armatosura rindërtojnë urën në Darëzezë

schedule18:24 - 4 Dhjetor, 2017

schedule 18:24 - 4 Dhjetor, 2017

Në 105 vjetorin e krijimit të Ushtrisë Shqiptare, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ishte përsëri në Darëzezë të Fierit, ku inspektoi urën e ngritur nga Forcat e Armatosura, pas shembjes që pësoi ura ekzistuese. Me këtë rast, ajo shprehu mirënjohjen e saj për kontributin njerëzor gjatë këtyre ditëve.

Olta Xhaçka u rikthye në Darëzezë të Fierit, ku Forcat e Armatosura ndërtuan një urë provizore në më pak se 24 orë, duke rikthyer qarkullimin për rreth 200 familje që kishin mbetur të izoluara pas shembjes së urës ekzistuese, nga furia e Vjosës.

“Me sakfrificën edhe vetëmohimin që karakterizon përgjithësisht efektivët e Forcave të Armatosura, nuk janë duke festuar, por janë sigurisht në ujë dhe në baltë për tu gjendur pranë çdokujt që ka nevojë për ndihmën tonë. Sigurisht që këto janë ditë shumë të vështira dhe janë ditë që të gjithë duhet të jemi të mobilizuar maksimalisht për t’ju ardhur njerëzve në ndihmë, por unë marr shkas edhe nga kjo datë e shënuar për të përcjellë mirënjohjen time për punën e jashtëzakonshme që bënë Forcat e Armatosura”.Kjo vizitë e ministres së Mbrojtjes përkoi me 105 vjetorin e krijimit të Ushtrisë shqiptare.

“Kjo urë është plotësisht rezistente për kalimin e automjeteve. Sfida jonë tani është që të ndërtojmë shumë e shumë ura të tjera, të cilat janë dëmtuar për shkak të furisë së ujrave, të prurjeve të reshjeve të jashtëzakonshme që kemi pasur, më të mëdha të krahasuara ndonjëherë më pikun historik, shumë më të mëdha se 2015-a dhe fakti që ishin aq të vrullshme, ka sjellë dëmtimin e 60 urave”.

Tani që emergjenca e parë duket se ka kaluar, sipas ministres Xhaçka mbetet prioritare rikthimi në normalitet dhe marrja e masave për të ardhmen.

“Sfida jonë nga tani, mbas kapërcimit dhe menaxhimit të situatës emergjente është të pastrojmë territorin, të rikthejmë infrastrukturën në parametrat normale dhe një plan shumë të detajuar investimesh për të ardhmen për të parashikuar të gjitha ato gjera që mund të bëjmë për të planifikuar përmbytjet në ato zona ku e njohim problematikën, por edhe të bëjmë një analizë më të zgjeruar për gjithçka që mund të bëjmë për tu bërë ballë këtyre emergjencave”.

E pyetur nga gazetarët mbi bashkëpunimin me pushtetin vendor, drejtuesja e dikasterit të Mbrojtjes që ka edhe përgjegjësinë e Emergjencave Civile, pohoi se komunikimi dhe bashkërendimi i punëve ka qenë shumë i mirë./abcnews.al

https://youtu.be/30vFqCLwPDI