Flakët rrethuan Sazanin prej ditësh, Rama: S’është për të qarë hallin kur ndihma vjen nga jashtë

schedule16:17 - 13 Qershor, 2022

schedule 16:17 - 13 Qershor, 2022

Shqipëria i ka dorëzuar sot publikisht kërkesën Komisionerit të BE për menaxhimin e krizave, Janez Lenarčič, për t’u bërë anëtare e mekanizmit për mbrojtjen civile.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Rama, Lenarcic pranoi kërkesën e Shqipërisë ndërsa deklaroi se është e rëndësishme që vendi ynë të mbështetet në solidaritetin e shteteve të BE-së në raste fatkeqësish si tërmetet, zjarret apo përmbytjet.

Kryeministri teksa u pyet nga gazetarët në lidhje me flakët që përfshinë ishullin e Sazanit për katër ditë me radhë, u shpreh se nuk është për të qarë hallin kur ndihma vjen nga jashtë.

“Së pari faleminderit sepse më jep mundësinë që ta përsëris. Ky mekanizëm është krijuar nga vendet e BE për të përballuar bashkë momente kritike në secilin prej vendeve. Kur flasim për një zjarr që bie dhe merr përmasa për një sërë arsyesh dhe në Shqipëri vjen një apo dy mjete nga ky mekanizëm. Kjo nuk është për qarë hallin. Këtë bëjnë të gjithë.

Edhe vendet më të fuqishme. Po ju them Greqinë që përballet me zjarre shumë më intensive se ne. Si përballet? Edhe pse është më e avancuar se ne përballet falë këtij mekanizmi. Me ndihmën e të tjerëve. Kjo që bëjmë sot nuk është diçka që mund ta bënim dje.

Nuk është se ne u kujtuam që të futemi. Kjo vjen si rezultat i reformave që kemi bërë. Agjenci jonë e mbrojtjes civile sot i ka parametrat për t’u bërë pjesë e këtij mekanizmi. Jo më larg se sot komisioneri do të vizitojë qendrën që funksionon për emergjencat civile. Besoj që kemi bërë një transformim kolosal. Ka ende shumë për të bërë”, tha Rama.

/abcnews.al