Janë mbyllur dy sfidat e orës 16:00 të ditës së sotme në Superiore. Kukësi ka shkatërruar 4-0 ekipin e Teutës, me verilindorët që fituan tre penallti në këtë takim. Shkurtaj shënoi dy gola nga pika e bardhë.
Fillimisht, bomberi i verilindorëve shënoi në minutën e 31-të, për të dyfishuar në minutën e 64-ët. Abazaj shënoi golin e tretë në të 73-ën, një gol shumë i bukur. Ndërsa për të vendosur rezultatin final të sfidës në 4-0, mendoi Et’hemi, që po ashtu shënoi nga pika e bardhë.
Kukësi me këtë fitore ngjitet në kuotën e 27 pikëve dhe në krye të tabelës, me dy pikë më shumë se Laçi. Ndërsa Teuta mbetet në kuotën e 22 pikëve, në vend të shtatë në tabelë. Për më tepër, trajneri Bledi Shkëmbi duhet të bëjë pa shërbimet e Rustem Hoxhës, që u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 67-të.
Në takimin tjetër mes Skënderbeut dhe Vllaznisë, kanë qenë miqtë ata që kanë triumfuar. Një supergol i Shtubinës me roveshatë i dha tri pikët Vllaznisë, që ngjitet në kuotën e 23 pikëve në vend të pestë. Ndërsa Skënderbeut, mbetet me 20 pikë, duke zbritur në vendin e tetë./abcnews.al