Roland Sejko sjell në ekran 45 vite të historisë komuniste shqiptare përmes pamjeve të arkivit filmik. “Film i Shtetit” është përzgjedhur si propozimi zyrtar i Shqipërisë për edicionin e 99-të të Çmimeve Oscar. Dokumentari 78-minutësh ndërtohet pa narrator dhe pa komente shpjeguese.
Janë vetë imazhet e prodhuara gjatë regjimit komunist që rrëfejnë historinë. Kamera dikur kishte një mision të qartë: të paraqiste një Shqipëri të fortë, të bashkuar dhe të lumtur.
Parada, kongrese, ceremoni, fjalime dhe portrete të udhëheqjes mbushin ekranin. Por sot, të njëjtat pamje mund të lexohen edhe përtej qëllimit për të cilin u krijuan.
Propaganda mbetet në ekran, ndërsa kuptimi i saj ndryshon me kalimin e kohës.
Filmi nis me pamje të grave dhe vajzave që vajtojnë vdekjen e Enver Hoxhës. Më pas shfaqet jeta publike dhe private e diktatorit, përmes materialeve të arkivuara. Hoxha shihet në pishinë, në gjueti, në shëtitje dhe në momente familjare me Nexhmije Hoxhën.
Sejko nuk ndërhyn për t’i shpjeguar këto pamje. Ai ia lë publikut detyrën për t’i parë, për t’i kujtuar dhe për t’i interpretuar. Për ata që e kanë jetuar komunizmin, këto imazhe mund të rikthejnë kujtime personale. Për brezat e rinj, ato bëhen një dritare drejt një periudhe që nuk e kanë përjetuar.
Filmi pati premierën botërore në Festivalin e 82-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. Është prodhuar nga Cinecittà dhe vjen si një tjetër punë e rëndësishme e Sejkos me materialet arkivore.
Regjisori është vlerësuar më herët me çmime për dokumentarët “Anija – La Nave” dhe “Makina e Imazheve Alfredo C.”
Por këtë herë, dëshmitari kryesor nuk është një personazh. Është vetë kamera e shtetit, që sot dëshmon për kohën që dikur ishte krijuar për ta glorifikuar./abcnews.al

