Të afërmit e Viktorjan Picakut, të riut 24-vjeçar që u ekzekutua me armë mbrëmjen e së mërkurës në Bari të Italisë, dyshojnë se pas kësaj ngjarjeje të rëndë fshihet një italian.
Për tvklan.al, ata rrëfejnë se pak ditë më parë, Viktorjani kishte ndërhyrë për të mbrojtur një vajzë, e cila po dhunohej nga një italian. Familjarët thonë se 24-vjeçari ishte gjendur aty rastësisht dhe kishte ndërhyrë për të shpëtuar të renë.
Por kjo, gjithnjë sipas familjarëve të viktimës, duket se nuk është pranuar nga italiani, i cili mbrëmjen e së mërkurës mori hak ndaj të riut, duke i marrë atij jetën.
Të afërmit e 24-vjeçarit thonë gjithashtu se kanë mësuar se një prej autorëve është vetëdorëzuar në polici, ndërsa tjetri është ende në kërkim.
Dy ishin personat që e qëlluan me dy plumba të riun me origjinë nga Mirdita. Ngjarja ndodhi në një shesh të mbushur me njerëz, përfshirë edhe fëmijë, në Corato të Barit.
Ata e qëlluan Viktorjan Picakun në kraharor dhe kokë, duke i marrë jetën.
Siç raportojnë edhe mediat italiane, në mesin e pistave të hetimit nga autoritetet atje, është edhe ajo e xhelozisë.
“Viktori nuk rezulton person me precedentë penalë dhe punonte në arë. Karabinierët e Trani, që po drejtojnë hetimet, nuk përjashtojnë asnjë pistë, megjithatë kryesorja është ajo e vrasjes për shkak të një vajze”, shkruan media lokale Coratoviva.it.
Autoritetet kanë sekuestruar kamerat e sigurisë që ndodheshin në zonë, ndërsa gjatë natës janë marrë në pyetje disa persona, përfshirë miq e familjarë të viktimës.
Më herët, tvklan.al mësoi se 24-vjeçari kishte rreth një vit që kishte shkuar në Itali, në kërkim të një pune më të mirë.//tvklan.al