Një tjetër skandal me pronat në Fier ka çuar në pranga një ish-drejtor të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe një përfitues pronash, ndërsa një ish-hartograf është lënë në masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur”.
Hetimet kane nisur ne 2025, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas Prokurorisë, dyshohet se nëpërmjet dokumentacionit të falsifikuar janë regjistruar në mënyrë të kundërligjshme 6 pasuri në zonën kadastrale të Levanit, me sipërfaqe totale rreth 71.7 hektarë.
Në dosje përmendet një vendim i vitit 2008 i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që njihte të drejtën e kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore në zonën e Levanit dhe Dërmënasit. Njëri prej trashëgimtarëve përfitues, kishte marrë më herët edhe kompensim financiar në vlerën 53.8 milionë lekë nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Megjithatë, sipas hetimeve, në vitin 2023 ai ka ndjekur procedurat për regjistrimin e gjashtë pasurive duke iu referuar të njëjtit vendim, pavarësisht kompensimit të përfituar më parë.
Prokuroria thotë se hetimet kanë zbuluar edhe rolin e ish-drejtorit të ASHK-së Fier dhe ish-hartografit në trajtimin administrativ dhe Kadastral të dokumentacionit që u përdor për regjistrimin e këtyre pasurive. Pas regjistrimit, disa prej pronave dyshohet se janë shitur, duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme financiare.

