Debati për të ardhmen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë është rikthyer në qendër të zhvillimeve politike në Kosovë, pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në Kosovë janë shtuar kërkesat për zhbërjen e Dhomave të Specializuara, ndërsa një kërkesë e tillë është artikuluar edhe gjatë protestave në mbështetje të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka bërë të ditur se mandati i saj vijon. Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Chris Bennett, tha se institucioni nuk komenton ekzistencën apo detajet e hetimeve, përfshirë kohën e përfundimit të tyre.
“Mandati i Zyrës së Prokurorit të Specializuar vazhdon derisa Këshilli i Bashkimit Evropian t’i njoftojë institucionet e Kosovës se hetimet dhe çdo procedurë që rrjedh prej tyre kanë përfunduar”, deklaroi Bennett në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, kundërshtimi ndaj vendimit të shkallës së parë është zhvendosur edhe në Kuvendin e Kosovës. Disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë kërkuar mbajtjen e një seance për të shqyrtuar mundësinë e zhbërjes së Dhomave të Specializuara.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i pyetur për mundësinë e zhbërjes së Speciales, deklaroi se “të gjitha veprimet demokratike dhe ligjore janë të mundshme”.
Kërkesat politike për zhbërjen e Dhomave të Specializuara vijnë në një kohë kur proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së vijojnë të jenë në qendër të debatit publik dhe politik në Kosovë. Ndërkohë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është dhënë një afat konkret për përfundimin e mandatit të institucionit.

