Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Pagat e gjyqtarëve/ Ish-prokurori: KLGJ duhet të kishte reaguar para skadimit të afatit, mungoi bashkëveprimi dhe transparenca institucionale

schedule10:20 - 19 Shtator, 2026

schedule 10:20 - 19 Shtator, 2026

Përplasja mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë për pagat e magjistratëve vijon të jetë në qendër të debatit.

Ish-prokurori Ervin Karanxha, në një intervistë në emisionin “Ora e Njëmbëdhjetë” në ABC News, tha se konflikti për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të zgjidhet sa më shpejt, duke theksuar se në këtë proces ka munguar bashkëveprimi ndërinstitucional dhe transparenca.

“Tani, për sa i përket refuzimit, ne jemi në dijeni që Gjykata Kushtetuese, në fillim të këtij viti, mbajti një qëndrim që shfuqizoi ligjin për pagat dhe i la kohë qeverisë deri në datën 31 korrik që të procedonte me ligjin e ri. Po, për shkak të axhendës nuk u arrit ai afat dhe, përpara se të shkojmë te skadimi i afatit, duhet të kishte reaguar Këshilli i Lartë Gjyqësor. Çfarë kuptojmë me reagim para mbarimit të këtij afati? Që në fillim të korrikut ose nga mesi i korrikut duhet të ishte thirrur kjo tryezë. Pra, duhet të ishte thirrur nga KLGJ-ja. Të ishte dhënë një alarm: po skadon afati, nuk kemi informacione. Pra, deputetja që ka pasur këtë ligj duhet ta thërriste. Ky quhet bashkëveprim ndërinstitucional midis institucioneve të ndryshme, sepse para se të shkosh në gjykatë, ti duhet të shkosh të paktën të flasësh me tjetrin. Edhe çështja civile, për shembull, kur ndahet një familje dhe është në divorc, thirret për seancë pajtimi. Në qoftë se nuk pajtohen, ndahen. Kurse këtu kemi një vendim të KLGJ-së që është marrë me dyer të mbyllura, fshehtas dhe pa respektuar procedurën. Nuk është hera e parë që KLGJ-ja bën këtë punë. Kemi edhe rastin e emërimit të pesë anëtarëve të vetingut të KPA-së. I ka emëruar me dyer të mbyllura, duke shkelur haptazi procedurën, aksesin e publikut, gjykimin ose seancat me dyer të hapura”, thja ai.

Sipas Karanxhës, Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të kishte reaguar përpara skadimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe të kishte thirrur një tryezë me institucionet përkatëse.

“Gjykata Kushtetuese në fillim të këtij viti shfuqizoi ligjin e pagave dhe i dha kohë qeverisë deri më 31 korrik. Duhet të kishte reaguar Këshilli i Lartë Gjyqësor. Kjo tryezë që thërret kryeministri, duhet të thirrej nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Do ishte mirë që ky debat të zhvillohej para afatit. Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të kishte reaguar. Do jetë Gjykata Kushtetuese që do e zgjidhë çështjen, sa i takon ligjit”, tha ish-prokurori.

Debati për pagat u përshkallëzua gjatë ditëve të fundit pas vendimit të Kuvendit për formulën e re të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kjo do të jetë rritja e fundit sipas kësaj formule dhe se qeveria do të propozojë një ligj të ri për balancimin e pagave mes pushteteve.

Nga ana tjetër, Karanxha theksoi se përplasja nuk duhet parë vetëm si një debat për nivelin e pagave, por si një çështje që lidhet me marrëdhëniet mes pushteteve dhe funksionimin institucional.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese duhet ta zgjidhë sa më shpejt konfliktin, në mënyrë që të rikthehet normaliteti në sistem.

“Do ishte mirë që Gjykata Kushtetuese ta zgjidhte shpejt këtë konflikt midis dy pushteteve”, deklaroi Karanxha.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!